Në zgjedhjet e fundit belge, shqiptarët kanë shënuar rezultatin më të mirë deri tani në kryeqendrën e Evropës, Brukselin. Ky rezultat është arritur falë konceptit të ashtuquajtur “Kombëtarja shqiptare e zgjedhjeve”, përgatitur nga deputeti shqiptar në Parlamentin e rajonit të Brukselit, Amet Gjanaj, shkruan Gazeta Lajm.

Në kuadër të kësaj kombëtare, janë përfshirë shqiptarë që jetojnë në Bruksel me prejardhje nga të gjitha trojet shqiptare. Me një organizim të tillë, edhe rezultati pozitiv ishte i garantuar dhe shumë më i mirë se në zgjedhjet paraprake. Ekipi i Lajm.Tv ka qëndruar në Bruksel për të përgatitur një storje ekskluzive për këtë organizim politik të shqiptarëve në kuadër të Partisë Socialiste belge, që është i veçantë sa i përket organizimit të shqiptarëve që jetojnë në vende të ndryshme perëndimore.

Përveç disa mandateve të fituar si këshilltarë, shqiptarët tani kanë edhe dy nënkryetarë komunash. Mirëpo ky nuk është maksimumi politik që mund të arrijnë shqiptarët, sepse potenciali i tyre ëhstë edhe më i madh, shkruan Gazeta Lajm.

Pjesë e kombëtares shqiptare ishte edhe Habibe Duraki nga Haraçina e Shkupit. Falë rezultatit të mirë që ka arritur në zgjedhje, ajo është zgjedhur edhe nënkryetare e komunës Evere. Për këtë sukses të vetin e falënderon edhe Gazetën Lajm, si medium që përmes portalit të vet ka përkrahur vazhdimisht Kombëtaren Shqiptare në zgjedhjet belge. Sipas saj, me rezultatin pozitiv të shënuar në zgjedhjet e fundit lokale, më shumë se politikanët, fiton komuniteti shqiptar në Belgjikë.

Është optimiste se gjërat po ndryshojnë për të mirë, si në vendlindjen e saj në Haraçinë, poashtu edhe në pjesët tjera të Maqedonisë. Për politikën ka filluar të interesohet në moshë tejet të re, që nga koha e luftërave të shqiptarëve në Ballkan. Edhe angazhimi i saj aktual është në frymën e afirmimit të imazhit të shqiptarëve, shkruan Gazeta Lajm.

Pas eksperiencës pozitive në zgjedhjet lokale, horizonti politik i shqiptarëve të Belgjikës është hapur edhe më tepër. Janë rritur ambiciet për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në muajin maj e që do të jenë në tre nivele. Do të votohet edhe për Parlamentin Evropian. A do të arrijnë shqiptarët e Belgjikës të kenë deputetin e tyre në Parlamentin Evropian?

Bashkë me politikën, në Bruksel kultivohet edhe kultura dhe tradita shqiptare. Aktivitetet kryesore zhvillohen në shoqatën Vatra, në kuadër të cilës funksionon edhe shkolla shqipe. Përgjegjëse e seksionit të folklorit te Vatra është Vahile Shkodra. Edhe pse mbiemri i saj është Shkodra, ajo është me prejardhje nga Gjilani. Rezultatet që shënojnë në festivale në Belgjikë dhe në vende tjera, janë për çdo lavdatë. Interesimi i rinisë shqiptare për të kultivuar traditën e tyre, rritet dita ditës.

Me rritjen e peshës politike, po krijohet hapësirë edhe për përmirësimin e kushteve në të cilat vepron mërgata shqiptare në Bruksel. Shoqata Vatra tashmë ka në dispozicion një sallë prej 300 metrave katrorë, që do të lehtësojë veprimin e shkollës shqipe dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore. Një gjë të tillë e imponon rritja e dit përditshme e numrit të shqiptarëve në Belgjikë, dhe fatmirësisht, rritja e vazhdueshme e interesimit të rinjve shqiptarë për rrënjët e tyre. /Gazeta Lajm&Lajm.tv