Emri i ri i Maqedonisë, i dekorduar me Marrëveshjen e Prespës, zyrtarisht në gjuhën shqipe është përkthyer “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Mirëpo gjuhëtarët shqiptarë vlerësojnë se bëhet fjalë për gabim. Sipas tyre, emri duhet përkthyer “Republika e Maqedonisë Veriore”, shkruan Gazeta Lajm.

“Si përkthyes profesionist, pohoj dhe qëndroj me argumente në pohimin se emri i shtetit në shqip duhet të jetë Maqedonia Veriore dhe jo Maqedonia e Veriut”, shkruan përkthyesi i njohur nga Tetova, Armend Nuhiu.

Sipas Marrëveshjes së Prespës, emri ri në gjuhën angleze është “Republic of North Macedonia”, kurse maqedonisht “Република Северна Македонија”.

“Nëse është Република Северна Македонија e jo Република Македонија на Северот, pse në gjuhën shqipe nuk është Republika e Maqedonisë Veriore, por u dashka të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut (kush është ky Veriu)?!!! Uroj që kompetentët e gjuhësisë do të japin ndonjë sqarim!”, shkruan Hamit Hajrullau nga Universiteti i Tetovës, duke vazhduar debatin në këtë temë.

Pa marrë parasysh dilemave lidhur me përkthimin në gjuhën shqipe, te popullata shqiptare në Maqedoni mbretëron optimizëm pas zgjidhjes së çështjes së emrit. Optimizmi i shqiparëve në përgjithësi është dy dimensional: në aspektin e sigurisë është tejkaluar rreziku që Maqedonia të mbetet zonë e interesit rus, kurse në aspektin ekonomik pritet rritje e standardit jetësor, sepse zgjidhja e çështjes së emrit veç anëtarësimit në NATO, hap rrugën edhe për anëtarësim të shpejtë në BE.