Shkruan: Isen Saliu

Në qytetin Sion të Zvicrës, biznes familjar zhvillon çifti bashkëshortor Saliu nga Prilepi i Maqedonisë. Demirali Saliu dhe bashkëshortja e tij Jesma kanë një sallon për prerjen e flokëve, karakteristik për shumëçka, shkruan portali Lajm.tv. Bashkëshortja Jesma Saliu është ndoshta femra e vetme shqiptare berbere për meshkuj. Por jo vetëm kaq. Ajo është ndër berberet më të mira në Zvicër, kurse ka fituar në shumë gara edhe në Evropë. Lajm.tv ka zhvilluar një vizitë te ta, ku kemi konstatuar se zanatin e berberit Jesma nuk e ka vetëm profesion, por edhe pasion. Gjatë tërë kohës që punon është e disponuar dhe e buzëqeshur.

“Këtë zanat e kam marrë nga babai të cilin e kam berber. Mua më ka pëlqyer ky zanat dhe kam filluar të punoj te babai. Ka 15 vite që e punoj këtë zanat.Unë jam nga Maqedonia, më saktë nga Zhitosha e Prilepit”, tha për Lajm.tv, berberja Jesma Saliu.

Si është dashuruar Jesma te ky këtë profesion që nuk është karakteristik për femra, e aq më pak për femrat shqiptare? në intervistën e saj për Lajm.Tv rrëfen se zanatin e berberit e ka trashëguar nga babai i saj, i cili ka qenë berberi i parë në Sion. Edhe pse babai ka qenë kundër që bija e tij të trashëgojë këtë zanat, Jesma ka qenë këmbëngulëse. Pas pensionimit të babait, ajo me bashkëshortin e menaxhon biznesin.

“Familja ime ishte e ndarë për përkushtimin tim në këtë zanatë. Një pjesë reagoi mirë, kurse disa anëtarë keq sepse berber është punë për burra. Por unë kam pëlqyer këtë profesion. Babai im në fillim nuk donte, por me kohë e pranoi dëshirën time. Tani edhe burri im punon bashkë me mua” u shpreh berberja Jesma Saliu.

Klientët e sallonit janë edhe zvicerantë edhe shqiptarët. Ata pa dallim shprehen të kënaqur nga mjeshtëria e Jesmës.

“Më parë kishin një salon tjetër, të cilin e mbante babai i Jesmës, por me largimin e sallonit u largova edhe unë për të vazhduar të qethem te Esma”, tha një klient i Esmës.

Një kuriozitet tjetër lidhur me këtë çift, është se ndoshta janë çifti i vetëm bashkëshortor shqiptar ku bashkëshorti e ka mësuar zanatin nga bashkëshortja. Demiraliu ka jetuar më herët në Gjermani, kurse pas martesës është shpërngulur në Zvicër, ku edhe i është bashkangjitur biznesit të bashkëshortes.

“Mua nuk më ka penguar që Esma është berbere me profesion”, tha për Lajm.tv Demirali Saliu, berber.

Ai ka filluar edhe një biznes, duke u bë përfaqësues gjeneral i një marke të njohur prodhimesh kozmetike edhe për Zvicër, por edhe për vendet e Ballkanit.

“Përveç punës si berber, unë punoj edhe me disa produkte që kanë të bëjnë me këtë profesion”, u shpreh Demirali Saliu, berber

Storja për çiftin bashkëshortor Saliu është një nga storjet e shumta që Lajm.Tv ka sjellur nga diaspora shqiptare, e që do të sjellim edhe në të ardhmen. / Lajm.tv & Gazeta Lajm