Në dy lokacione të fshehta në komunat Shuto Orizari dhe Shtip janë prodhuar dhjetëra mijëra letërnjoftime të falsifikuara, me siguri për nevoja zgjedhore gjatë zgjedhjeve të kaluara, shkruan “Fokus”.

Burime të kësaj javore kanë thënë se 30 mijë letërnjoftime ende ekzistojnë dhe janë deponuar në mënyrë adekuate, kurse në redaksinë e “Fokus”-it kanë dorëzuar 105 letërnjoftime, transmeton “Lajm”.

“Pjesa më e madhe e letërnjoftimeve të cilat i patëm në dorë, e më pas i dorëzuam në MPB, ishin çifte, me fytyrë të njëjtë, me emër dhe identitet, por me adresa të ndryshme, që do të thotë se me siguri janë dhënë për të shërbyer për votim të shumëfishtë.

Vërejtëm edhe rast ku person i njëjtë gjendet në gjashtë letërnjoftime, me tre identitete të ndryshme dhe numra amzë dhe me gjashtë adresa të ndryshme”, shkruan “Fokus”.

Burime të javores kanë thënë se gjatë shtypjes së letërnjoftimeve të falsifikuara është shfrytëzyar baza e të dhënave nga MPB, kurse në projektin sekret kanë marrë pjesë edhe funksionarë policorë.

Skandalin e bën më të madh fakti se në zgjedhjet e kaluara është bë falsifikim i madh zgjedhor dhe me këtë do të merret ministri i ri i punëve të brendshme, kurse për shkak se edhe te “bombat” opozitare përmenden letërnjoftimet e falsifikuara, për këtë rast duhet të fillojë procedurë hetimore edhe prokuroria speciale.