Arben Velo

Prapaskenat e filmit “Skënderbeu” bazuar në kujtimet e profesor Aleks Buda dhe Viktor Stratobërdhës. Ai tregon detajet e xhirimeve në Krime dhe Shqipëri, personazhet, ideimin e skenave, debatet kur diskutohej skenari i autorit rus Mihail Papavas. Filmi që u shfaq në kinematë e mëdha të Evropës dhe u dominua në Festivalin e Kanës

65 vite më parë,më 28 Nëntor 1953, ditën e 41 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë , do të shfaqej paralelisht në kinematë e Tiranës, dhe Moskës një film midis fiksionit dhe historisë, një bashkëpunim i frytshëm i “MOSFILMIT” dhe Kinostudios “Shqipëria e re”. Bëhet fjalë për filmin epope “Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë”, ose siç njihet nga të gjithë “Skënderbeu”. Sot ndërsa ndjekim skenat madhështore të krijuara nga regjia e Sergei Josifoviç Jutkeviç, të cilat bashkëshoqërohen nga muzika nuk mund të mos magjepsemi. Muzikë që është kthyer në një emblemë kombëtare. Por si u realizua kjo kryevepër kinematografike sovjeto-shqiptare? Veç dokumenteve e fakteve të nxjerra në dritë lidhur me kujtimet e faktet tashmë historike të realizimit të këtij filmi, na vijnë në ndihmë edhe kujtime të dy prej protagonistëve kryesorë të aventurës filmike, që u kthye në një nga filmat më të shikueshëm dhe më të pëlqyer në historinë e filmit shqiptar. Ata janë Viktor Stratobërdha i lindur në vitin 1925 në Korçë dhe ndarë nga jeta, pas kalvarit të vuajtjeve dhe persekutimeve në Kanadanë e largët në vitin 2000 si dhe kujtimet e Profesor Aleks Budës, që së bashku me Anatoli Miler do të ishin dhe konsulentët për çështjet historike në filmin për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Këto kujtime zbardhen për herë të parë nga profesor i Universitetit të Tiranës Marin Haxhimihali, nipi i profesor Aleks Taqi Buda . “ Në arkivin e familjes Buda ekziston një material i daktilografuar, hartuar nga Viktor Stratobërdha, të cilit unë i jam referuar” pohon profesor Haxhimihali.

Por si zhvillohet historia e filmit?

Në kujtimet e shkruara nga profesor Aleks Buda thuhet se “Skenari iu ngarkua njërit prej skenaristëve sovjetikë më në zë të kohës Mihail Papavas (1906 -1975). Papava ishte një intelektual i shquar, skenarist, gazetar dhe kritik arti që kishte kryer dy fakultete: Histori – Filologji në Universitetin Lomonosov, ndërsa në vitin 1938 ai do të mbaronte edhe Fakultetin e kineastëve. Është laureuar gjithashtu me çmimin “Stalin” të shkallës së parë në vitin 1950. Buda u ngarkua nga pala shqiptare që të bashkëpunonte me skenaristin rus si konsulent mbi historinë. Vizitën e parë në Shqipëri, skenaristi rus Papava do ta kryente në muajin Prill të vitit 1949. Për më shumë se dy muaj ,ai do të shëtiste nëpër Shqipëri i shoqëruar nga Aleks Buda. Së bashku, ata vizituan Tiranën, Krujën , Lezhën, Beratin dhe kudo ku kishte gjurmë të Skënderbeut. “Ka shkrime dhe kujtime në fondin arkivor “Buda”, ku ky i fundit kujton se skenaristi rus interesohej sidomos për legjendat që lidheshin me heroin shqiptar, forcën e tij të madhe, kalin që kapërcente malet, shpatën që thyente shkëmbinjtë e nuk mund ta ngrinin dot dy burra etj”, thotë profesor Marini. Por sipas shkrimeve dhe kujtimeve që ka mbajtur gjyshi, -shton ai , -Papavën më tepër e tërhiqnin gjërat e vërteta. Thuajse në gjithë takimet shqiptarët e gjithë rangjeve i kërkonin skenaristit rus që ta përshkruante në mënyrën më legjendare Skënderbeun, gati si një figurë mitologjike. Por, nëse shikohet në film, skenaristi e ka përdorur këto mitologji vetëm në këngë që ai i vendosi në skenar si bashkëshoqëruese të filmit”

Por si po pritej ky film në radhët e historiografisë shqiptare?

Kjo e fundit sapo kishte nisur një kthesë që përkonte me periudhën e pas kongresit të parë të PKSH-së të vitit 1948, ku mbizotëronte fryma e egër ndaj klasave të përmbysura. Me ç’rast përpiqeshin të denigronin figurën e Skënderbeut?! Haxhimihali i referohet në këtë pikë profesor Kristo Frashërit. “Duke u kapur nga prapashtesa ‘Bej’ që mbante emri Skënder i Heroit, pra Skënderbej, titull i cili në shekullin e XV në të vërtetë kishte kuptimin e gjeneralit ,-shkruan profesor Kristo Frashëri në: “Aleks Buda- Një jetë për Albanologjinë” , ata e trajtonin atë si një bej në kuptimin e pronarit çifligar, të cilët në ato vite goditeshin me egërsinë e xhunglës”. -Përballë kësaj situatë , kujton Haxhimihali , për të ndriçuar portretin e vërtetë historik të Skënderbeut, Aleks Buda mbajti një konferencë të posaçme në sallën e Teatrit Popullor me 17 janar 1949. Ndërsa lidhur me këtë konferencë profesor Kristo Frashëri do të shkruante: “Kjo nuk ishte një konferencë partiake, as shtetërore, por ishte e para konferencë në Shqipëri me temë historike që mbahej vetëm nga një konferencier”. Pikërisht në mes të kësaj situate në muajt e pranverës mbërriti në Shqipëri skenaristi rus . Ai përshkoi gati gjithë vendim, duke bazuar më pas edhe pjesët e skenarit në natyrë, ku u luajtën më vonë skenat e filmit. -Kur ne ishim në Berat dhe po bisedonim për ngjarjet që u zhvilluan aty-kujton profesor Buda ,-unë i tregova Papavës për Laonikun, historianin filozof me prejardhje greke në oborrin e Sulltanit. Ai u interesua shumë për këtë figurë dhe jo vetëm e futi në film, por krijoi edhe një skenë të veçantë ku përplaseshin mendimet e Skënderbeut me ato të Halkokondilit dhe ku nënvizohej qëndrimi i drejtë dhe largpamës i Skënderbeut për kohën e tij.

Përplasja e emrave dhe skenave në film dhe disa vërejte shtesë