Arsim Hajredini
Personalisht mendoj se funksionarët e BDI-së nuk do t’i kthejnë 19 milionë eurot që janë vjedhur nga fondi pensional invalidor, deri sa ata kanë udhëhequr me këtë fond dhe me ministrinë për punë dhe politikë sociale.
Mendoj se kjo aferë, si çdo aferë tjetër që paraqitet për funksionarët e BDI-së, ka dalë në sipërfaqe për shkak të ndonjë padëgjushmërie momentale që udhëheqësia e saj ka treguar ndaj patronit maqedonas në qeveri.
Prandaj, ashtu siç doli befas në sipërfaqe, ashtu edhe do të heshtet kjo aferë, pasi udhëheqësia e kësaj pite do të kthehet në binarët tradicionalë të lojalitetit të verbër ndaj patronit maqedonas.
Eventualisht do të hapet ndonjë proces gjyqësor i cili do të zvarritet pa ndërpre. Nuk do të mbyllet tërësisht, por do të mbahet në sirtar, për t’u riaktualizuar në rast të ndonjë padëgjueshmërie të re të udhëehqësisë së partisë ndaj patroni.
Skema tani më është e njohur. Do të inskenohen gjithë filmat e mundshëm, që rasti të mos ketë epilog, por as të mos mbyllet, sepse siç thash, në rast nevoje duhet të hapet sërish.
Dëshmitarët dhe dëshmitaret do të martohen në Gjermani, prokurorët do të padisin avokatët për kërcënime të bëra në emër të dyshuarve… Krejt kjo bëhet me një qëllim. Që autorët të mos dënohen, por të mbahen në “komplluk” siç thotë populli.
Sepse sa më korruptuar është BDI-ja, aq më e përshtatshme si partner për partitë maqedonase. Sa më e korruptuar BDI-ja, aq më shumë angazhohen partitë maqedonase që kjo parti të mbetet në pushtet. Sepse maqedonasve, pa marrë parasysh a janë të djathtë, apo të majtë, u konvenon që në pushtet të jetë një parti e korruptuar shqiptare. Partitë maqedonase mund të kenë një milion dallime mes veti, por për një gjë kanë konsensus: bashkëisht punojnë në strategjinë për zhvillim sa më të madh të pjesës ku jetojnë maqedonasit, në dëm të pjesës ku jetojnë shqiptarët.
Këtë strategji më së lehti e realizojnë duke mbajtur në pushtet një parti shqiptare të korruptuar dhe të inkriminuar.
Ithtarët e “jetesës” e “bashkëjetesës” mund të dalin me një milion teori të kundërshtojnë këtë konstatm timin, mirëpo praktika i demanton ato të gjitha.
Sidoqoftë, do të kthehem edhe një herë te fillimi i kësaj kolumne. Me hedhjen në harresë të skandalit 19 milionë eurosh, nuk do të thotë se ato 19 milionë euro do të falen.

Ato do t’i pagujanë shtrenjtë shqiptarët, bile me kamatë shumë të lartë. Siç i kanë paguar deri tani aferat korruptive të partisë në pushtet me vrasje në raste të montuara, me arrestime me burgje të përjetshme, me projekte momnoetnike e monofetare, me projekte ekonomike të realizuara vetëm në pjesën maqedonase. Ky do të jetë çmimi që do të paguajnë shqiptarët, deri sa nuk vetëdijësohen se goditjen më të madhe politikave nacionaliste maqedonase mund tia japin, vetëm duke ua “thyer” patericën e korruptuar shqiptare.

Loading...