U promovua dje në Muzeun Historik Kombëtar revista “Studime muzeologjike” dedikuar Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Mes 22 shkrimesh “Shekulli” sjell rrëfimin e Ylli Polovinës, ku tregon se çfarë u tha për ’97-ën e shqiptarët nga italianët në 530 vjetor të heroit.

U promovua dje në Muzeun Historik Kombëtar revista “Studime muzeologjike” në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Mes një larmishmërie temash studiuesit kanë hulumtuar figurën e Skënderbeut në fusha si letërsia, historia, etnografia etj. Revista përmban shkrime, të më shumë se 22 autorëve, te cilët janë ndalur në rolin e heroit në hapësirën evropiane, në veçori e dukuri të betejave që ai zhvilloi, letërkëmbimet e tij me personalitete të huaja e shumë tematika të tjera. Gjatë aktivitetit, që ishte i pari për Muzeun Historik Kombëtar ishin të pranishëm krahas disa prej autorëve që kontribuuan në realizimin e kësaj reviste, drejtorit të Muzeut Dorian Koçi edhe disa nxënës nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi” të cilët interpretuan disa poezi në nder të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Studiuesi Mark Palnikaj, që në revistë është ndalur tek letërkëmbimi i Skënderbeut, duke sjellë tetë letra nga Arkivi i Bibliotekës Kombëtare të Napolit dhe Arkivi Sekret i Vatikanit, gjatë takimit theksoi faktin se Qeveria duhet të jap më shumë fonde për Muzeun, në mënyrë që të mundësojë zhvillimin e ekspozitave e aktiviteteve sa më dinjitoze. Gjithashtu ai sugjeroi që numri i ardhshëm i revistës të kishte në fokus zhvillimin e arsimit në vendin tonë. Më poshtë “Shekulli” ju sjell një shkrim mjaft interesant të diplomatit dhe publicistit Ylli Polovina botuar në revistën “Studime muzeologjike”.

17 janari 1998 ishte e shtunë. Në Romë organizatorët e simpoziumit për Skënderbeun në fillim kishin planifikuar mbajtjen e kumtimeve, pastaj sëbashku do të shkohej, për të vënë një kurorë, tek monumenti i tij. Statuja nuk ishte më shumë se disa dhjetra metra larg sallës Auditorium te Banca Nazionale di Lavoro, ku do të mbahej mbledhja përkujtimore. Në Romë ai 530 vjetor i vdekjes së Gjergj Kastriotit përdori disa simbole. Kuptimësia e tyre nisi që nga presidiumi i simpoziumit. Sipas një protokolli të vëmendshëm, në të ishin vendosur, përreth ambasadorit shqiptar, gjenerali Franko Anxhoni, i emëruar nga qeveria italiani si Komisar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, senatori Xhuzepe Xamberleti, president i një instituti, shkrimtari i njohur kroat Predrag Matvejeviç, studiuesja e Ballkanit Emanuala del Re, baroni Shmid, profesori Italo Fortino, këngëtarja arbëreshe Silvana Likursi, muzikologu Spiro Kalemi, aqripeshkvi arbëresh i thirrur Monsinjor Luka. Personin e fundit që ambasadori prezantoi në fjalën e tij të hyrjes, por duke e theksuar posaçërisht, e quanin Lorenco Kastriota. Për të tha se është “trashëgimtar direket i familjes Skënderbeg”. “Kjo dëshmon” nënvizoi menjëherë ambasadori Pandeli Pasko “edhe vazhdimësinë e kësaj familjeje”. Në sallë nuk mungonin edhe diplomatë të përfaqësive të huaja të ekredituara në Romë dhe në Vatikan. Të parit iu dha fjala gjeneralit Anxhoni. Ai shqiptoi shprehjet “faleminderit për ftesën, zoti ambasador”, “jam këtu i dërguar i qeverisë për të dëshmuar interesimin e Italisë për institucionet shqiptare. Jo më kot, në formë sinteze, kryeministri Prodi tha se viti 1997 ishte viti i Shqipërisë. Ju siguroj se edhe viti 1998 do të jetë viti i Shqipërisë. Sigurisht duke uruar të mos ketë pasoja si të vitit pararendës”. Shtatlartë, me tipare harmonike gjer në bukuri të vërtetë ashkullore, me një tkurrje të lehtë vetullash, lëkurëzeshkët dhe me një gropëzë fare të vogël në fund të mjekrës, Franko Anxhoni ato çaste shëmbëlleu imazhin e Skënderbeut. Gjenerali ishte veshur civil, por edhe ai kostum i rrinte hijshëm, të qenit ushtarak i shfaqej në çdo gjest. Kjo e bënte edhe më karizmatik atë italian, të cilin më pas, në fjalën e tij, senatori Xhuzepe Xamberleti do ta quante “një nga njerëzit më të mirë të tokës së tij, Italisë”. Në qeverinë e kohës, kabinetin Romano Prodi, askush nuk e kishte pasur në paramendim zgjedhjen e Anxhonit me detyrën e Komisarit të Jashtëzakonshëm për Shqipërinë thjesht sepse ngjante sadopak me heroin kombëtar të saj. Me siguri askush prej anëtarëve të kabinetit, përfshi edhe vetë kryeministrin, nuk kishin parë ndonjë pamje të Skënderbeut. Ishte momenti historik që e kishte thirrur atë gjeneral, i cili ngjante Gjergj Kastriotit. E goditur rëndë nga ngjarjet e 1997 Shqipëria kishte nevojë të delte nga trauma e rëndë kombëtare dhe të ringjallej.

Si të kishte ndodhur një mrekulli hyjnore Skënderbeu kishte braktisur botën e përjetshme dhe i ishte shfaqur mëmëdheut të tij me pamjen e Franko Anxhonit. Përshëndetja e qeverisë italiane nëpërmjet fjalëve të Franko Anxhonit në atë 530 vjetor të vdekjes së Skënderbeut, ishte vetëm pak më shumë se dy minuta. Në atë kohë telegrafike gjenerali tha se “shpresonte që ajo, e cila ndodhi gjatë vitit 1997, nuk ishte tjetër veç një formë e shprehjes së ndryshimit pozitiv, e rritjes së Shqipërisë dhe e ndërtimit të saj. Ky takim i sotëm është një seancë shpirtërore që lidh popujt me shumë histori e që kanë miqësi me rrënjë të thella. Shqipëria dëshmohet se i takon Evropës, fatet tona me këtë qytetërim lidhen, prej tij përcaktojmë rrugën që do të ndjekim . E ardhmja, duke pasur këtë të kaluar të gjatë, duhet ta ndërtojmë çdo ditë. Shqipëria në këtë proces rindërtimi duhet mbështetur. Qeveria italiane është mobilizuar në këtë rindërtim, Italia do të jetë afër. Ky është edhe urimi për Shqipërinë”. Pas kësaj gjenerali italian u ul në vendin e tij në podium. Aty u nguros modestish, në përpjekje për të mos rënë në sy. Prej pozicionit ku isha ulur busti i tij u sinkronizua me atë të Skënderbeut, të marrë nga salla e pritjes e ambasadës dhe i vendosur përkohësisht në atë mjedis konferencash te Banca Nazionale del Lavoro. Ndërkohë në podin folës u afrua senatori Zhuzepe Xamberleti. Ky hyri menjëherë në thelbin e asaj që dëshironte të spikatëte. Ajo statujë në mes të sheshit Albania, tha, ai personazhi atje, është varrosur në histori apo kemi të bëjmë me një Skënderbe që lëshon akoma mesazhe? Sipas tij, Gjergj Kastrioti rrezatonte ide për kohën që kalonin jo vetëm shqiptarët, por edhe italianët. Për të ai ishte përpjesëtueshëm emërmadh si komandant ushtrie dhe si udhëheqës politik. Për Xhuzepe Xamberletin kishte kaluar shumë kohë nga vepra e tij, ai e konsideronte gjeneral modern. “Nuk dua ë vjedh zanatin e Anxhonit” shtoi me humor Xamberleti, “por Gjergj Kastrioti diti të përvetësonte dhe zbatonte në fushën e betejës manovra të mëdha, ai kishte aftësi të jashtëzakonshme për të përdorur praktikat e guerriljes”. “Torviolli” vijoi senatori italian “ishte kryevepra e artit të tij ushtarak”. Për Xhuzepe Xamberletin gjenia e manovrës së Skënderbeut niste që kur u shkëput nga ushtria turke e dërguar në Moldavi për t’u kthyer, duke përfituar nga një tërheqje taktike e turqve, në qytetin e tij të Krujës.

“Gjergj Kastrioti ishte një udhëheqës modern” nguli këmbë senatori “sepse karakterizohej nga humanizmi, pasa se të niste betejën në mëngjes ai thërriste ushtarët e tij dhe u thoshte me përkujdesje “është e nevojshme të hani herët dhe mirë sepse lufta e sotme do të jetë e gjatë, duhet të ruani energji gjer në fund të saj”.

Pas senatorit Emanuela del Re u ngrit plot gjallëri në podin folës. Për të Skënderbeu ishte shumë magjepsës. Pas shprehjes së kësaj konsiderate, që dukej si formë idolatrie për heroin e famshëm shqiptar, u shtrëngua të shtonte se ishte një studiuese nga afër e Shqipërisë. Kështu që në fillim bëri të ditur se duke qenë një operuese shkencore faktesh nuk do t’i jepej entuziazmit të tepërt.

E megjithatë, vijoi, ka diçka shumë moderne tek Gjergj Kastrioti. Për Emanuela del Re një përvjetor si ai ku gjendeshin mbledhur, nuk mund të ishte në rastin e Skënderbeut thjesht një përkujtim, një rinovim entuziazmi për të, një përkujdesje arkivore që ai të mos harroje. Del Re tha se kishte mjaft arsye të mendonte se në një 530 vjetor si ai, si në çdo rast tjetër ku mund të kujtonim heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti shfaqej i pa konsumuar nga shekujt, rezultonte tërësisht në kohë. Tregoi se kur kishte qenë për herë të parë në Shqipëri më 1992, mes imazheve të forta e të pashlyeshme që i kishin mbetur në kujtesë ishin ato të një vizite në Alademinë e Arteve në Tiranë.

Kishte qëlluar në atë periudhë të vitit mësimor, kur studentët paraqitnin punët e tyre. Që në momentin e parë kishte mbetur e goditur nga e papritura: me gjithë stilin e ndryshëm të secilit studenti më tepër i trajtuar prej tyre kishte qenë ai i Skënderbeut. “Shumica e kishin pikturuar në profil, me helmetën dhe shpatën e tij”, u shpreh ajo. Emanuela del Re-së i kishte rënë në sy se kur piktura përmbante edhe pamjen e shpatës apo të dorës që e shtrëngonte, në fytyrën e Gjergj Kastriotit asnjë student nuk kishte interpretuar egërsi.

Përkundrazi i ishte dukur se në atë armëmbajtje heroi kombëtar i shqiptarëve shprehte civilizim. Emanuela del Re fliste me zë të ngrohtë, por pa mëshuar apo zbehur tonin e saj, pa e ngritur apo ulur, mënyra këto shpesh të nevojshme për theksimin e ideve apo detajeve të ndryshme. Ajo, pa qenë aspak monotone, ishte përgjithësisht e njëtrajtshme dhe duhej të bëje shumë kujdes mos të shpëtonte ndonjë gjë interesante. Detajin e studentëve shqiptarë që në shkollën më të lartë artistike të vendit të tyre ende e kishin Skënderbeun si subjektin më kryesor të sprovave vjetore e pasoi butazi me pyetjen se si ishte e mundur që një rini e tërë pas më shumë se pesëqind viteve akoma e ndjente të plotë e suprem një hero kombëtar. “Ndërkohë”, vijoi, “e pyeta veten menjëherë se si mund të shpjegohet që në Evropën Lindore të gjitha statujat e diktatorëve ranë, ra edhe e Enver Hoxhs në Tiranë, madje në mënyrë të zhurmshme, kërcitshim, si material fizik dhe si simbol, porse në mënyrë të zhurmshme, kërcitshim, si material fizik dhe si simbol, porse në të njëjtin shesh nuk u prek ajo e Skënderbeut.

Të gjithë atë rrëzim Gjergj Kastrioti e pa ftohtësish nga pozicioni i monumentit të tij”. Del Re tha më pas se një statujë si ajo e Skënderbeut nuk do të bjerë kurrë, edhe pse shumë të tjera ngrihen e bien pa pushim, sipas një cikli kohor. Për të kjo mosrënie e përjetshme e Gjergj Kastriotit lidhej me vlerën e një simbolike të tij, atë të bashkimit dhe unitetit kombëtar. Ky thelb i veprës e kishte shndërruar Skënderbeun në një nga shtyllat e identitetit të Shqipërisë. Vetëm kështu ajo e shpjegonte përse në Tiranë dhe në Nju Jork (“sapo jam kthyer nga SHBA, tek vizitova komunitetin shqiptar” saktësoi) nuk ekziston asnjë shtëpi pa një shenjë që lidhet me kujtimin e Gjergj Kastriotit. “Atëherë” vazhdoi Emanuela del Re arsyetimin e saj, “mund të pyetet se cilët nga elementët e kësaj fame të Skënderbeut, të kësaj karizme të tij, e cila i reziston kaq shumë kohës, madje edhe hapësirës, Siç dihet fama e tij nuk ka kufij as hapësinorë”. Duke vijuar interpretimin e saj Del Re ishte e qartë se rreth veprës së Gjergj Kastriotit kishte pasur nga historianët opinione të ndryshme, për figurën e tij nuk kishin munguar as ngjyrosjet me legjenda. Megjithatë ajo ishte e sigurt se tashmë kishte aq shumë elementë të provuar sa mund të hartohej plotësisht e në mënyrë të besueshme një portret i plotë i Skënderbeut.

Konfigurimin e këtij portreti Emanuela del Re e nisi çuditërisht me një legjendë. Duke qenë se si studiuese në atë simpozium ishte shprehur kundër çdo gjykimi që lidhej me interpretime legjendare të një figure njerëzore, ajo gjithsesi nguli këmbë se figurat e shquara politike apo fetare, kur janë popullore, do të pësojnë doemos një proces legjendarizmi. Sipas saj kjo aureolë nis që nga mënyra se si rrëfehet edhe vetë çasti i lindjes fizike të heronjve. Me këtë arsyetim, edhe pse atë 17 janar 1998 nuk e çoi më tej, Del Re tërthorazi linte të nënkuptonte se pa e kaluar sprovën e një legjendarizmi nuk mund të besohej se një figurë e ardhur nga thellësia e historisë ishte me të vërtetë e madhe.

Në rastin e Gjergj Kastriotit studiuesja italiane tha se legjenda-aureloë për heroin kombëtar shqiptar rrëfente se si e ëma, kur ishte shtatzënë me të dhe priste nga dita në ditë të dilet në jetë Gjergji i vogël, pa në ëndërr se kishte lindur një dragua shumë të madh. Koka e këtij gjarpri me një lëvizje të rrufeshme gëlltiste Turqinë dhe në të njëjtën kohë me bisht godiste detin Adriatik. Për Emanuela del Re legjenda në simbolikën e saj kishte një realitet: Skënderbeu me kokën kundër Turqisë dhe bishtin në kontinentin evropian me trup mbronte Shqipërinë. Por edhe vendin e saj, Italinë. Në vijim të Emanuelës në foltoren e simpoziumit njëri pas tjetrit u paraqitën tre arbëreshë. Ata ishin Monsinjor Luka, studiuesi Italo Fortino dhe këngëtarja Silvana Likursi. “Shqiptarët flasin me zemër” do të thoshte që në fjalët e tij të para arqipeshkvi Luka. Pastaj tha: “I nderuari Xamberleti dhe e shtrenjta Emanuela nënvizuan se diçka na thotë Skënderbeu”, ngriti zërin ai. “Në 1987” vijoi ai “në një mbledhje në Vatikan, në sallën Dibervi, ku ishin rreth 8000 peshkopë dhe prelatë, Madre Terezës së Kalkutës, asaj që është e bija dhe lulja më e bukur e shqiptarëve, i doli nga goja një shprehje që më ka bërë të mendoj e reflektoj shumë. Ajo tha “Unë nuk besoj tek masat, unë besoj tek njeriu”.

Dhe pasi bëri një pauzë Imzot Luka gati kushtroi: “Skënderbeu kërkoi t’i fliste njeriut!”. Profesori Italo Fortino, duke i lëvizur fjalët e tij njëra pas tjetrës me një çap të rregullt sikur të ishin një armatë e disiplinuar, tha se do të paraqiste para të pranishmëve të nderuar rapsodinë “Skënderbeu dhe vdekja”. “Në këtë poezi”, nënvizoi ai, “lexojmë dramën e parë të emigracionit në fjalët e dhimbshme të vetë Skënderbeut, i cili duke e parë vdekjen që po i afrohej, thirri pranë djalin e tij, Gjonin, dhe i dha këshillën e fundit me këto fjalë”. Me të mbyllur këtë frazë arbëreshi i njohur me emrin Italo, nisi të recitonte në shqipen e vjetër vargjet e rapsodisë.

Kur arbëreshja Silvana Likursi, duke kërkuar njëmijë herë ndjesë për zërin e saj të cenuar nga një grip i disa ditëve më parë, tha se do të këndonte një rapsodi për vdekjen e Skënderbeut, u bë mëse e qartë çfarë peshe të hatashme zinte kjo ngjarje në të gjithë kujtesën e popullit arbëror. Pas një pauzë të shpejtë ajo filloi të recitonte. Vargjet bënin fjalë për “një ditë të ngarkuar me borë, edhe qielli dukej se do të lotonte, kur mbi shesh u ngrit një kujë, që hyri në të gjitha zemrat e shtëpitë. Ishte Lekë Dukagjini, që me njërën dorë godiste ballin dhe me tjetrën shkulte flokët: “Në gjunjë Shqipëri, zoti tënd baba vdiq këtë mëngjes, Skënderbeu nuk është më!”. E dëgjuan shtëpitë dhe u drodhën, e dëgjuan malet dhe u hapën, kambanat e të gjitha kishave filluan të binin për të vdekurin, ndërsa në qiellin e hapur Skënderbeu, i pafati”. Ndërsa deklamonte këto vargje Likursi u bë hipnotizonjëse. Mund të recitonte edhe një poemë të tërë dhe para saj në atë sallë të mos e ndjeje fare ekzistencën e kohës.

Loading...