Shkruan: Albion Mehmeti

Fshati Sllupçan në këto ditë të ftohta të dimrit, po përballet me një problem që është karakteristik për muajt e ngrohtë të verës, kur temperaturat kalojnë 40 gradë, shkruan Gazeta Lajm.

Të paktën 80 shtëpi në Sllupçan të Kumanovës kanë mbetur pa ujë pasi se në këtë fshat, janë tharë një numër i madh i puseve.

“Kjo ndodh për herë të parë. Unë kam 64 vite dhe prej se mbaj mend prej para 60 viteve ky pus nuk është shtrerrur asnjëherë dimrit. Edhe gjatë verës kur është shterrur, kjo ka zgjat vetëm 10 ose 15 ditë” u shpreh para kamerws sw portalit Lajm.tv, Fatmir Asani, ish deputet në Kuvendin e Maqedonisë.

Shkak për këtë problem është bërë ndërtimi i shtratit të lumit që kalon në mes të fshatit, thonë banorët e këtij fshati me rreth 800 shtëpi.

“Vitin e kaluar e kemi ndërtuar shtratin e lumit, pra gjithë bazamentin e lumit e bëmë me beton dhe ja sivjet po përballemi me pasojat. Ujë s’ka prej më tepër se një muaji” , tha Fatmir Asani, ish deputet në Kuvendin e Maqedonisë.

Sipas banorëve, faji qëndron te projektuesit e shtratit që e kanë shtruar me beton edhe pjesën e poshtme të lumit, duke i mbyllur kështu të gjitha mundësitë që uji të dëpertojë nën tokë dhe të arrijë nëpër puse.

“Është zgjëruar edhe shtratit, por më e keqa është se dyshemeja është bërë me beton dhe tani mbi 80 për qind e puseve s’kanë ujë” tha Sabit Sadiku, banor i Sllupçanit.

“Është problem shtrati i ujit sepse të gjitha puset prej këtu furnizohen me ujë. Gjysma e fshatit nuk kanë ujë për pije”, u shpreh i revoltuar Zejni Emini, banor i Sllupçanit.

Banorët e Sllupçanit me ujë furnizohen nga puset, ndonëse e kanë fare pranë Pendën e Likovës që furnizon me ujë gjithë rajonin e Kumanovës, madje edhe zonat shumë të largëta të qytetit ku jetojnë maqedonas. Një projekt i nisur prej vitesh për instalimin e gypave të ujësjellësit edhe për fshatrat e Likovës ende nuk dihet kur do të përfundojë, shkruan Gazeta Lajm.

“Mes dy pendave jetojmë, ujë për pije nuk kemi” , tha Halit Tahiri, banor i fshatit Sllupçan.

Të lënë në harresë nga institucionet, disa banorë janë munduar të gjejnë zgjidhje për të siguruar kohë pas kohe ujë të pijshëm. Ata që kanë afër ndonjë pus që ende nuk është tharë, janë lidhur me gypa dhe nga një pus furnizohen më shumë shtëpi.

Prej rreth dy muajve që kur i është tharë pusi, ky banor është i detyruar që në forma të ndryshme të sigurojë ujin për pije dhe nevoja tjera për 25 anëtarët e familjes së tij.

“Kam blerë gypa dhe jam lidhur me shtëpinë e një të afërmi që është rreth 150 metra larg për ta sjell ujin. Dy shtëpi furnizohemi nga pusi i tij” , tha Halit Tahiri, banor i fshatit Sllupçan.

Banorët e Sllupçanit përfaqësohen në Kuvendin e Maqedonisë nga deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili, por thonë se i njejti asnjëherë nuk i ka dëgjuar hallet e tyre, shkruan Gazeta Lajm.

“Kemi deputetët, por deputetja maqedonase i thoshte deputetit tonë se nuk keni ujë dhe infrastrukturë, kurse ai thoshte se kemi ujë, kanalizim dhe gjithçka tjetër. Por, ne nuk kemi asgjë” tha Halit Tahiri, banor i fshatit Sllupçan.

Të dëshpëruar nga autoritet lokale, banorët i bëjnë thirrje qeverisë që t’iu del në ndihmë për të zgjidhur problemin e tyre elementarë për jetesë, siç është mungesa e ujit për pije. / Gazeta Lajm

Loading...