Real Madrid ka pësuar humbjen e gjashtë të sezonit në Santiago Bernabeu ndaj Real Sociedad.

Los Blancos janë në rënie të lirë pas disfatës 2-0 dhe Santiago Solari fajëson fatin e keq dhe arbitrin për këtë rezultat.

“Sot, çdo gjë shkoi mbrapsht. Çdo gabim në futboll paguhet shtrenjtë. Bëmë gjithçka për të përmbysur rezultatin, por në futboll quhen golat.

“Kemi shpërdoruar tre pikë të tjera me të cilat mund t’u ishim afruar kundërshtarëve.”

Gjatë një aksioni të Vinicius Junior, duket qartë se një nga lojtarët e Sociedad kap topin me dorë, por arbitri nuk mendoi kështu, duke mos u konsultuar as me VAR.

“Askush nuk e kupton pse rasti i Vinicius Jr nuk u dha penallti. Për mua ishte e pastër. Gjithsesi, sot kemi humbur tre pikë të tjera.

“Nuk kam folur me arbitrin. Ka disa aksione për të cilat është përfshirë VAR. Nëse ka pasiguri, duhet të konsultohet me VAR. Nëse jo, atëherë përse është përfshirë teknologjia?

“Ky është futbolli. Ishim tepër të shpërqendruar që në fillim të sfidës dhe paguam shtrenjtë. Nuk e kemi nënvlerësuar kundërshtarin, në çdo ndeshje luajmë për fitore.”