Reshat Ibraimi

Në kuadrin e turneut paraeliminator në futsall, i cili po zhvillohet në Shkup, përfaqësuesja e Maqedonisë dhe e Shqipërisë sonte (e diel, ora 20:00) në sallën sportive “Jane Sandanski”, do të “luftojnë” për vendin e parë në grup.

Ndonëse të dyja ekipet e kanë siguruar plasmanin në raundin kualifikues për KB Lituani 2020, ekipet janë të motivuar për të zënë vendin e parë në grup.
Edhe fakti se shumica e lojtarëve njihen mes vete, janë edhe shokë jashtë fushe, e bënë takimin e sotëm edhe më interesant.

Para këtij takimi flasin disa prej lojtarëve kryesorë në radhët e të dyja ekipeve, të cilët përballjen e sotme e cilësojnë si një derbi i ballkanit në futsall.

Erkan Seferi (Maqedonia): “Sot presim fitore kemi atmosferë shumë të mirë, vendës jemi. Normal e duam vendin e parë në grup. Kjo ndeshje është derbi i ballkanit në futsall. Do të ketë shumë tifozë, shpresoj se do të jetë ndeshje e mirë. Në Kombëtaren e Shqipërisë kemi shokë të mirë, që luajmë në ekipe të Kosovës”.

Ferid Agushi (Maqedonia): ”Luajmë për fitore. Synimi ynë janë tre pikët, jemi të përgatitur mjaftë mirë në aspektin fizik, por edhe taktik. Sa për Shqipërinë them se janë ekip me përvojë, kështu që do të jetë derbi i vërtet brenda 40 minutave, edhe pse kualifikimin e kemi siguruar të dyja ekipet, po sikur ne edhe ata do të luftojmë për vendin e parë”.

Taulant Ismaili (Maqedonia): “Presim të jetë një lojë tepër e zjarrtë, me shumë eufori. Jemi tejet të motivuar dhe presim rezultat pozitiv, ngase qëllimi jonë është vendi i parë në grup. I dëshiroj suksese të dyja ekipeve”.

Sedat Ziberi (Maqedonia): “Do të jetë një ndeshje e fortë, derbi i ballkanit. Ata kanë disa lojtarë që me mua luajnë në Ligën e Italisë, por megjithatë shpresojmë në fitore, pasi që qëllimi ynë është vendi i parë në grup”.

Eljasa Neziri (Shqipëria): “Ne jemi të kualifikuar në këtë grup, sikurse Maqedonia, por edhe sic na tha trajneri Erind Resuli do të luajmë për stemën që kemi në gjoks-shqiponjën, luajmë për vetën dhe për shqiptarët. E njohim Maqedoninë, kanë ku kualitetet e tyre, por ne jemi optimist se d’ia dalim mbarë. Me Erkanin dhe Feridin jemi me një ekip, te Prishtina, por shpresoj që sot ata të humbin”.

Ylber Alili (Shqipëria): “Edhe pse shanset janë të barabarta, unë shpresoj të jemi fitues i grupit. Në dy takimet e parë kemi bërë paraqitje të mira, treguam lojë efikase, prandaj shpresojë se edhe sot do të jetë një ndeshje e bukur. Këtë ndeshje do ta përcaktojnë gabimet e vogla”.

Gazmend Hiseini (ndihmëstrajner i Maqedonisë): “Presim lojë të fortë nga të dyja reprezenacionet, edhe pse Maqedonia është favorit, nuk do të jetë lehtë deri në fund të lojës”.

Maqedonia dhe Shqipëria janë në dy vendet e para në grup, me nga 6 pikë, duke siguruar kualifikimin në garat e mëtutjeshme. Fituesi i grupit do të udhëtojë në Ukrainë, për turneun elitar i vlefshëm për botërorin e futsallit në Lituani në vitin 2020, ku do të ndeshet me Ukrainën, Slloveninë dhe Kosovën, ndërsa vendi i dytë do të jetë në grup me Kazakistanin, Holandën dhe Rumaninë./lajm

Loading...