Rreth 100 vatra zjarri shkrumbuan sot pjesën veriore të Spanjës, të nxitura nga era dhe temperatura mjaft të larta, një dukuri e pazakontë në një rajon që zakonisht është i lagësht.

”Rreth 300 forca zjarrfikëse dhe ushtarake, të ndihmuara nga avionë bombardues me ujë, po luftojnë kundër 99 vatrave të zjarrit në Asturias”, njoftuan shërbimet lokale të emergjencës, ndërsa 18 vatra janë identifikuar në rajonin fqinjë të Cantabrie.

Këto vatra, që për fat të mirë deri më tani nuk kanë shënuar të plagosur, u përhapën nga erërat e forta që arritën deri në 100 kilometra në orë dhe temperatura shumë të larta për sezonin, theksuan autoritetet lokale. Në Gijon temperatura arriti deri në 25 gradë Celsius, qyteti më i madh i Asturias.

Sipas qeverisë rajonale, rreziku i përhapjes së vatrave të zjarrit në Asturias mbetet shumë i lartë sot , madje ekstrem sipas zonave të rajonit./ata/