Afrim Fanda
Nëse ëndrra për integrim në Bashkimin Evropian në kohën e anëtarësimit të Greqisë në vitin 1981, pavarësisht afërsisë gjeografike, dukej akoma shumë e largët për shqiptarët, gjysma e të cilëve gjendeshin nën kulmin diktaturës komuniste, e gjysma tjetër në kulmin e terrorit jugosllav, pas rëzimit të sistemit monist në vendet ish komuniste të Europës, e sidomos me anëtarësimin e pothuajse të gjitha këtyre shteteve në BE, tani më kjo ëndër dukej e realizueshme dhe e prekshme. Anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë, me realitete të krahasueshme me atë të shqiptarëve në vitin 2007, dhe anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013 bëri që shqiptarët, tani të ndodhur në një tranzicion të pafund, në një sistem jo demokratik po aq të egër si sistemi i kaluar, BE-në t’a shohin si një shpresë dhe shpëtim. Por për fat të keq, shumica e shqiptarëve e shohin vetëm si mundësi punësimi në donjë nga këto shtete të BE, e jo si një mendësi të re dhe realitet të bartshëm në vendet ku jetojnë.
Por, cilat janë mësimet që duhen nxjerrë nga përfitimet reale nga antarësimi i këtyre vendeve?
Vetë historia e Greqisë para, dhe në veçanti pas anëtarësimit në BE, vlen shumë si mësim për shqiptarët. Ajo, u anëtarësua në BE në vitin 1981, pikërisht në fazën e depresionit të thellë ekonomik të filluar në vitin 1979, pas në periudhe të artë ekonomike që filloi më 1960 dhe zgjati deri më 1973, kur kriza e naftës goditi fuqishëm Greqinë. Kriza ekonomike u thellua akoma më shumë edhe pas anëtarësimit në BE, bile në vitet në vazhdim e ktheu ekonominë e Greqisë në nivelet e para vitit 1960. Ngritja ekonomike rapide e viteve 2000-2007, me hyrjen në Euro zonë, vetëm sa dëshmoi për një qeverisje të papërgjegjshme dhe ekonomi të paqëndrueshme. Qeveria, e cila në kushtet e një kredibiliteti të përmirësuar mori shuma të mëdha hua me interes të ulët, në vend të shtrëngimit të rripit dhe të uljes së borxhit publik, lejoi rritjen vjetore të shpenzimeve të konsumit në 4.7% (krahasuar me atë të Eurozonës që ishte 1.9%). Pas vitit 2007 Greqia u përball me rënien më të madhe të PBB në historinë moderne në një shtet në gjendje paqeje – humbi 26% të PBB dhe borxhi publik shkoi në 177% të PBB.
Bullgaria dhe Rumania, edhe pas një dekade anëtarësimi në BE, mbeten shtetet më të varfëra të BE. Paga minimale në Bullgari në vitin 2017 shënoi një rritje të dukshme krahasuar me 2007 -nga 93 Euro në 235 Euro. E njëjta gjë ndodhi edhe në Rumani: nga 114 Eur më 2007, në 275 Euro më 2017. Por, përkundër kësaj rritjeje të dukshme, akoma përfaqësojnë paga frustruese dhe të turpshme për realitetin e BE (paga minimale ne Shqiperi, pas 1 janarit 2019 – 210 Eur). Bullgaria u bë një vend tërheqës për shumë investitorë, por arsyeja mbetet zhgënjyese – punësimi i punëtorëve të kualifikuar me paga të krahasueshme me vendet në zhvillim si India. Ndaj dhe në Bullgari, numri i njerëzve që punojnë jashtë vendit është më i lartë se i atyre që punojnë brenda vendit. Për të njëjtat arsye, Rumania përballet me një krizë të rëndë demografike dhe është në rrugë e sipër për të humbur përmes emigrimit mbi 5 milionë banorë deri në vitin 2050. Në të dy vendet, forca e punës po reduktohet dukshëm, gjë që i bën këto vende me një të ardhme të pasigurt. Vetë anëtarësimi i këtyre dy vendeve në BE nuk arriti të vendosi nën kontroll korrupsionin, i cili vazhdon të jetë barrierë kryesore në menaxhimin e fondeve të BE, për procedura të ndershme të tenderimeve, koncesioneve etj
Nëse, nga njëra anë, me anëtarësimin në BE, ndjenja e përkatësisë në familjen e madhe evropriane, u mundësoi qytetarëve të këtyre vendeve të ndjejnë fuqinë që kanë për të kërkuar më shumë nga qeveritë e tyre, një shembull ky inkurajues për shqiptarët, nga ana tjetër, shembujt e lartpërmendur dëshmojnë të vërtetën e hidhur: BE nuk është strehë, as e shteteve të paqëndrueshme, e as e popujve që presin shpëtim me magji nga udhëheqësit e tyre të papërgjegjshëm, të korruptuar dhe të kriminalizuar. Po të shtojmë ketu edhe mësimin e nxjerë nga rasti i Katalonisë, definitivisht, anëtarësimi në BE nuk mund të jetë arsye për të hequr dorë nga territoret, sovraniteti dhe identiteti duke bërë lëshime bazuar në premtimet se problemet do të zgjidhen pas anëtarësimit.
Eshtë zhgënjyes fakti që, pikërisht nën trysninë e një pjese të faktorit ndërkombëtar, klasa politike shqiptare e zhytur në korrupsion dhe krim, premton integrimin në BE dhe si rrjedhojë, jetë më të mirë shqiptarëve, në shkëmbim të lëshimeve që do të bënin për fqinjët e pangopur. Dhe, me këtë rast, janë pikërisht standardet e BE për të drejtat e njeriut, për të drejtat kolektive dhe të shtetndërtimit, ato që shkelen me të dy këmbët për shqiptarët.
Shqiptarëve, akoma padrejtësisht u kërkohet që të vazhdojnë të jetojnë të coptuar në 6 shtete, si asnjë popull tjetër në Europë. Dhe më e keqja, kjo u shitet atyre si normalitet. Por, madje as në shtetet ku jetojnë ashtu të coptuar, nuk zbatohen as standarded regjionale të ndërtimit të shtetit – bashkësi popujsh, e lere më ato evropriane.
Edhe vetë shteti Jugosllav, që në formimin e vet, zgjodhi sistemin qeverisës federativ, për të motivuar për bashkëjetesë në një shtet Serbët, sllovenët, kroatët, malazezët. Me përjashtim të shqiptarëve që u përfshinë në këtë shtet pa vullnetin e tyre dhe me një status jo të barabartë. Me rastin e formimit te shtetit të Bosnjes, pas luftës së përgjakshme, të gjithë, përfshirë dhe faktorin ndërkombëtar, u angazhuan dhe dakorduan për një sistem qeverisës konfederativ, si i vetmi model qeverisës që do t’ia arrinte të mbante bashkë, në një shtet, popujt e armiqësur në luftën e fundit. Në Kosovën “e pavarur” pakica serbe, qe as në kohen e zullumit çetnik dhe egzodit të shqiptarëve në kohën e Millosheviçit nuk kaluan mbi 7%, sot, si në asnjë vend të Evropës, kanë 10 vende të garantuara në parlamentin e Kosovës ndërkohë që shqiptarët e Malit të Zi, këto ditë burgosen për përdorimin simboleve të tyre për festën e flamurit. Ndërsa në Greqinë, anëtare e BE, sipas grekëve, popuj të tjerë përveç grekëve, e me kte as shqiptarët, thjesht “nuk ezgzistojnë”!
Shqiptarëve në IRJM u premtohet integrimi në BE në shkëmbim të lëshimeve që do të bënin për mbajtjen gjallë të shtetit dhe identitetit të vjedhur nga ana e sllavëve të IRJM, duke hequr dorë nga identiteti i tyre dhe të qenit të barabartë në shtetin ku jetojnë. Atë qe kushtetuta e Belgjikes arriti te bente ne vitin 1962 per 1% gjermanë, përmes sistemit qeverisës federal të kombinuar me Komunitetet Federale Gjuhësore frenge, holandeze dhe gjermane, duke zyrtarizuar në këtë mënyrë përdorimin e gjuhes gjermane që flitet vetem nga 1% i banorëve të Belgjikës, sot, në vitin 2018, në momentin kur rishikohet kushtetuta, pushteti në duart e sllavëve dhe mercenarëve të tyre shqiptarë nuk tregon as më të voglën gatishmëri për të bërë as aq, për shqiptarët që përfaqësojne më shumë se një të tretat e banorëve në IRJM.
Nëse partitë shqiptare në pushtet, hapur, në ditë me diell, kryejnë aktin më të lartë të tradhtisë kombëtare duke hequr dorë vullnetarisht “për interesa më të larta të shtetit të IRJM”, nga shfrytëzimi i këtij rasti të volitshëm të hapjes së kushtetutës për ndryshime, për të kushtëzuar votën e tyre me ndryshime kushtetuese për statusin e shtetformuesit për shqiptarët dhe sistemin qeverisës konfederativ apo federativ, po aq shqetësues dhe zhgenjyes është qëndrimi i lëkundur i opozitës shqiptare në IRJM. Ndërkaq lideri i ASH shkon akoma më larg duke u tallur me shqiptarët me propozimin e tij që në preambulën e kushtetutës së IRJM në pjesën e tekstit “Republika e Maqedonisë është shtet i pavarur dhe sovran” thjesht, të shtohet në vazhdim “dhe shtet multietnik”. Zoti Sela, duhet t’u sqarojë shqiptarëve se nga cili shtet i Evropës mori shembullin për këtë kushtetutë, të cilën ai e bën “të pranueshëm”për shqiptarët duke e korigjuar me një fjalë të vetme!?
Sot për shqiptarët në IRJM është më se e qartë se nuk mund ta lënë të ardhmen e tyre në duart e partive të kapura nga pushteti në duart e sllavëve. Sot më shumë se kurrë, populli shqiptar ka nevojë për disaporën, për intelektualët me vetëdije njerëzore dhe kombëtare të pacënuar, për rininë, nxënësit dhe studentët, për të ndaluar këtë tradhëti të përfaqësuesve politik të tyre. Kryeministri Zaev, me ndihmën e mercenarëve të blerë shqiptarë ne pushtet dhe jashtë saj, me ndihmën e deputetëve kriminelë të amnistuar e të pa amnistuar, me drejtorë të rinj e të vjetër e të amnistuar të UDB-së, mund të votojë në parlament kushtetutë me përmbajtje si t’i dojë qefi. Por, kjo kushtetutë nuk do të jetë e shqiptarëve. Kryeministri Zaev, ashtu si dhe paraardhësit e tij, mund të blejë ca mercenarë shqiptarë me vetëdije të ulët njerëzore dhe kombëtare, por nuk mund të blejë popullin shqiptar. Me këtë veprim, ai dhe bashkëpunëtorët e tij, thjesht dëshmojnë para shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtarë mungesën e gatishmërisë së tyre për bashkjetesë në një shtet, si të barabartë me shqiptarët, gjë që i bën përgjegjës për çdo revoltë të shqiptarëve në të ardhmen, të cilat, sigurisht që nuk do të mungojnë, ashtu siç nuk munguan më 1968, 1981, 1992, 1994, 1997, 2001, 2007, 2015 …

Loading...