Medai Shaholli
Lideri i Aleancës për shqiptarët Ziadin Sela, nga takimi me kryeministrin Zajko, tha se kanë rënë dakord që ”prej sot nuk do të kemi dy kategori të qytetarëve – qytetarë, si dhe qytetarë tjerë…, por do të jetë vetëm populli maqedonas, shqiptarë, turk etj.”, tha Sela. Kjo është tullumbacja që ka hedhur dr.Sela në qiell të hapur për shqiptarët duke e paraqitur këtë marrëveshje në parim me kryeministrin Zajko si fitore e madhe. Në fakt në preambulë do të ndryshojë vetëm emërtimi nga 20% duke theksuar kombësinë si maqedonas, shqiptarë, turq … që në fakt nuk tregon për barazinë e statusit politik të shqiptarëve dhe zyrtarizimit të gjuhës shqipe, por thjesht numëron bashkësitë etnike në Maqedoni. Kjo marrëveshje në parim është një përmirësim por nuk mjafton dhe nuk e zgjidh statusin politik dhe gjuhën shqipe si të barabartë me sllavishten, pasi shqiptarët do të vazhdojnë të mbeten me status inferior në një kategori gjuhësore me pakicat e tjera. Gjuha shqipe nuk do të mund të përdoret si gjuhë zyrtare pasi kjo çështje është rregulluar me ligjin për guhët e bashkësive etnike. Ky është manipulimi i radhës që po bën Sela me këtë marrëveshje pas miratimit të ligjit për pakicat, që na e shitën si ligji për gjuhën shqipe. Të mos gëzohen shqiptarët me këto ndryshime në parim pasi ato marrëveshje nuk i bëjnë shqiptarët të barabartë me sllavët as gjuhën shqipe zyrtare për t’u përdorur si gjuhë e shtetit, ajo thjesht do përdoret ashtu siç e thotë MO, e cila edhe ashtu e gjymët dhe skandaloze për shqiptarët nuk u zbatua kurrë. Z.Sela, lëri pallavrat po thuaj shqiptarëve se statusi i shqiptarëve nuk do të ndryshojë dhe as gjuha shqipe nuk do të bëhet zyrtare! Makijazhi që po i bëni kushtetutës së re nuk ua mbulon dot hilen tradhëtisë me shqiptarët.