Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi sot se  myslimanët janë viktimat që preken më shumë nga terrorizmi, njoftoi agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency.

”Sulmet terroriste në Paris nuk janë vetëm kundër të pafajshmëve, por në të njëjtën kohë edhe kundër demokracisë së NATO-s dhe të BE-së si dhe kundër vlerave themelore të lirisë dhe shoqërisë së hapur”, deklaroi Stoltenberg.

Ai theksoi se është e rëndësishme të rikujtohet se sulmet terroriste në Paris nuk janë një kufi mes Perëndimit dhe botës islame.

“Myslimanët në luftën kundër terrorizmit ndodhen në vijën e parë dhe ata janë viktimat kryesore të terrorizmit”, theksoi ai.

Sipas tij, terrorizmi nuk bën dallime mes fesë dhe kombësisë.

”Lufta kundër terrorizmit është komplekse dhe e vështirë. Për këtë arsye është e nevojshme të vazhdohen përpjekjet ushtarake dhe diplomatike me një qasje gjithëpërfshirëse”, tha Stoltenberg.