Falë një zelli edhe delirant të Taulant Mukës, media kohët e fundit është diktuar të futet në CV-të e emrave publikë, nga politik apo jeta akademike, për të parë vërtetësinë e shkollimit të tyre. Kauza e Mukës nisi si një fushatë për denoncimin e plagjiaturave në tituj akademikë, e më pas, i fiksuar për t’u bërë skanerin skolastik përfaqsuesve të politikës e botës akademike, shkoi më thellë, deri te diplomimi i tyre, duke vënë në diskutim dhe vetë Ramën si ish-pedagog i Arteve Figurative, që së paku i përket një kohe ku nuk bëje dot lojra me të dhënat akademike, për të qenë i denjë për mësimdhënie në kadetra universitare.

Ka vënë në diskutim dhe Bashën po ashtu, e rreth këtij të fundit ka patur disa investigime edhe me prapavijë politike, për t’ja nxjerrë në pah të vëtetën ose jo, të diplomimit të tij në Hollandë. Por dhe në këtë rast, fakti që është rekrutuar në UNMIK, i jep legjitimitet shkollimit të tij. Tjetër gjë janë më pas kontestimet politike, të cilat përfshijnë edhe më të shkolluar se Basha e Rama, jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë.

Dhe Muka që e ka provokuar këtë debat, i ngjan atij personazhit te Shvejku, të cilit i ishte shndërruar në fiksim që t’u merrte urinën njerëzve për analiza, gjersa hasi në një hundlesh që iu kthye dhunshëm lutjes së tij për urinim me shishe në dorë.

Rasti i Mukës siduket, i përket fenomenit të superskolastikëve që shndërrohen në komikë në jetën reale. E kjo pa ia mohuar meritën e denoncimit të hajdutërisë edhe në tituj akademikë.

Ndërkohë, është rasti për të kujtuar dy personazhe të jetës publike shqiptare pa diplomë. Njëri nuk jeton më. Është i ndjeri Sabri Godo, ish-kreu i republikanëve, i cilësuar ndryshe dhe si “plaku i urtë” gjatë kohës që bëri protagonistin në politikën shqiptare. Dhe i tillë qe. Më një të folur të shtruar, të qetë, edhe qesëndisës me masë, ai ofronte një mendim të qëndisur mbi aksh çështje dhe kurrë nuk nxorri fjalë fyese apo shprehi të rëndomta inatçore për të kundërtin e tij në politikë. Puna më e madhe e tij qe hartimi i Kushtetutës së vitit 1998.

I dalë malit që në moshë të njomë si partizan, ai në vitet e çlirimit pati aso rrjedhe jete që nuk ia mundësoi shkollimin.

Madje krahas një filli jete intelektuale si shkrimtar, bëri dhe punë të rëndomta që sistemi ia diktoi si një formë ndëshkimi. Performanca e tij politike pas ’90-ës është një shkollë më vete, edhe për ta ndjekur.

Tjetri është Kim Mehmeti, një prej penave më të vyera të letra shqipe. Shqiptar i Maqedonisë, fjala e tij është sistem reference për mbarë hapësirat shqiptare, sidomos kur është fjala për radiografinë e plagëve ndën shqiptari.

Në një interviste në Personale me Jonida Vokshin, do thoshte me humorin e tij karakteristik të një ironie brilante, se mbeti pa diplomë pikërisht nga leximi i çmendur i librave. Thënë më qartë, të zhyturit në lexime jashtë-shkollore, e la pas në ato shkollore. E sot, t’i kërkosh diplomë Kim Mehmetit, është një gomarllëk. Siç dhe i ndjeri Godo, Kimi është vetë një diplomë.

Këto vlejnë për Mukën e për të gjithë ata që nuk kanë kuptuar se shkolla është korniza e një pikture e jo vetë piktura! /tesheshi.com/