Fitim A.Nuhiu

Para dhjetë viteve unë me gruan vendosëm të jetojmë në Shkup, duke u mbështetur dhe përkrahur nga puna e gruas në një ministri. U martova dhe kemi tani dy fëmijë. Mirëpo më poshtë dua të shtjelloj një problem që siç po duket s’don t’i dalë zgjidhja assesi.

Gjatë këtyre viteve kam takuar njerëz të parëndësishëm dhe besa edhe njerëz të rëndësishëm ose më mirë të them njerëz të njohur. Bisedë e sipër si të gjithë besoj që flasin problemet e veta personale që i tangojnë, edhe unë kam qajtur hallin e shtetësisë që po ma refuzojnë qe disa vite, pa asnjë arsye, duke pasur parasysh se i plotësoj të gjitha kushtet përkatëse.
S’ka mbetur shqiptar pa më thënë se: ‘e kom njo temin aty, foli me to edhe tkalllxoj…’ e send s’ka dalë prej tyre. Bile u shqetësosha ku zhdukeshin tipat e tillë, mos rastësisht vdisnin sepse nuk i shihja më…
Kam pasur edhe aso tipa që më kanë kërkuar edhe 2000 euro për ‘t’kry punë’, mirëpo s’kam pranuar.
Kam shkuar edhe te avokati i popullit, por asgjë, bile më humbi vetëm kohën që isha tek stafi i tij.
Gjithçka që dëgjoja për fjalën “SHTETËSI” i hapja veshët, thua se kushedi çka është, derisa një ditë e pashë në postimet e tij, zv. ministrin e punëve të brendshme Agim Nuhiun që thoshte se prej tash askush s’mund të privohet nga fitimi i shtetësisë dhe po punojmë në këtë drejtim që të ndihmojmë qytetarët shqiptarë të pajisen me dokumente valide që iu ka mohuar me dekada, kështuqë vendosa t’i drejtohem personalisht personit në fjalë.
Fillimisht i shkrova në facebook (inbox), ia qava hallin dhe me ktheu një përgjigje të prerë: “EJA NË ZYRË NË ORA KAQ”.
Shkova i ngazëllyer dhe pafrymë duke pasur parasysh se një problem të madh e zgjidha, dhe më priti siç e kam treguar me një postim timin në fcb atëkohë.
Më dëgjoi hallin dhe më tha se mos u shqetëso se do të shohim këtë problem ta zgjidhim sa më parë. I tregova se aplikimi im është akoma në procedurë dhe se le të intervenon që t’më kthehet përgjigja pozitive më, sepse ia thash hapur se më nuk aplikoj sepse jam lodhur me dokumente e pagesa të llojllojshme.
Pas atij takimi ndihesha më i lehtësuar sepse ia adresova njeriut të parë kompetent për atë çështje, dhe se vrisja mendjen se mund të më kthehet diçka negative.
Pas disa javëve më erdhi përgjigja negative e kërkesës për shtetësinë.
U shtanga, me thënë të drejtën s’e prisja një gjë të tillë. Menjëherë i shkrova zv. ministrit dhe i fotografova dokumentin dhe më tha: “EJA NË ZYRË”.
Pa humbur kohë, duke qenë edhe i zhgënjyer, shkova dhe më priti me ngrohtësi (sikur që pret një mik të vjetër) porse s’më kreu punë asgjë. Edhe pse ai thirri një jurist nga stafi i tij ta regjistron dosjen time, ankesën time dhe të rishqyrtohet, i thash tanimë jam dorëzuar, s’dua të konkuroj më, jam frustruar keqas me administratën burokratike ndoshta edhe kriminale sepse kur njeriu i parë me ingirenca për këtë çështje s’më kreu punë, cili mund të kryejë punë më…
I kam shkruar disa herë dhe feedback-u që kam marrë ka qenë një ‘seen’ pas disa ditësh, sigurisht i kuptoj impenjimet dhe angazhimet e tij zyrtare, porse duke pasur parasysh se më premtoi se do merr masa, prisja diçka ndryshe.
Sidoqoftë, tanimë kanë kaluar disa muaj, dhe akoma s’kam përgjigje nga zv. ministri apo stafi i tij në lidhje me çështjen time, dhe kam zgjedhur të jetoj si i HUAJ në vendin dhe shtëpinë time… si gjysmë-qytetar i mjeruar.