Enis Miftari

Pyetje rutinore, dilemë që valëvitet në mendjen e çdo njeriu madje me theks të veçantë te të rinjtë.
Sot askush nga ne nuk nguron të thotë që dua të iki sepse arsyet dhe qasja politiko- ekonomike e sociale i ka dhënë mbështetje ides për ikje nga vendlindja. Kuptohet, ne nuk kemi një jetë të dytë, së paku meritojmë që të vetmen jetë ta jetojmë siç duam ne dhe konform bindjeve dhe dëshirave tona.

Gjithçka fillon te pyetja se sa ne plotësojmë nevojat tona në vendin tonë dhe sa ne përmbushim pritshmëritë dhe përgjigja që fitojmë nga gjithë kjo analizë është pak apo aspak.
Në shumicën nga ne reflekton se ka pesimizëm në rritje, por, jo në fakt kemi rritje të optimizmit se jeta e mirë nuk është kjo dhe se kërkimi për një vend jetese është domosdo. Ndërmjet të pesimistëve dhe optimistëve ne duhet të vendosim realistët, ata që përshkruajnë atë që është reale, ç’po brengos psiko-fiziken tonë.

Maqedonia po rradhitet vendi i fundit për një jetë të mirë në Europë, ka marrë primatin e përfaqësimit që është gjithçka e ligë dhe e padobishme.
Sot, në vendin tonë ne nuk kemi të sigurt një vend pune, mungesa e arsimit cilësor, mungesë reciproriteti institucione – shoqëri, mungesë e masave sociale dhe shëndetsore. Pra, një i ri në Maqedoni në moshën 18 -21 vjeçare nuk i pavarur për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike- sociale madje shkalla e mesme është shuar. Katrahura që ndodh me arsimin ka bërë vetëm rritje të kuantitetit dhe zvogëlim të kualitetit, besueshmëria në institucione ulet vazhdimisht si rezultat i politikës pa moral dhe nder e cila po zhvillohet gati dy dekada ndërkaq pasojat tani po vërehen dhe ne nuk mund të flasim për një standard të mirëfilltë shëndetsor përderisa spitalet janë shëndruar në zona deponish, objekte korrupsioni dhe që shëndeti i shoqërisë rradhitet i treti apo i katërti. Kaq neveri, kaq përbuzje, kaq nëpërkëmbje sa që ne jemi vazhdimisht taksapagues dhe lojal ndaj sistemit ndërkaq sistemi s’jep gjë tjetër por vetëm synon që të bëj skllavërinë moderne.

Elita politika sot është paformësuar dhe e cila pretendon se bën politikë, por, në fakt bën vetëm ligësinë dhe promovon e nxit ata të cilët janë komod kur sakrifikojnë nderin, dinjitetin, integritetin e tyre për të vetmën gjë, mbijetesën. Dhe në fakt të gjithë ata që nuk duan të mbijetojnë në këtë mënyrë të vetme zgjidhje kanë të ikin, sepse jo gjithkush është ndërtuar nën njolla dhe vullgarizëm politik.

Tanimë jo rastësisht numri që ikin rritet, mjekë që preferojnë të punojnë diku tjetër sepse për ata në rradhë të parë pacientët ndërkaq korrupsioni në spitale dhe gjykata rritet, mësimdhënës të cilët duan meritokraci dhe të punojnë me nder pa presion partiak ndërkaq Maqedonia avacon kuadrin partiak që mund të jetë i paditur, i pazhvilluar, i papërgjegjshëm vetëm se është mënyrë për të bërë sistemin e skallëvrisë moderne, punonjës administrativ të cilët vendosin në rradhë të parë interesin e qytetarëve të cilët në fund ikin sepse ata nuk duan të punojnë në mënyrë selektive, pa kushte, me pagë që nuk mbulon dot nevojat e një familje 4 antarëshe, ndërkaq në Maqedoni një familje mund të mbijetojë me 30,000 den të hyra.

Pavarësisht se Maqedonia kategorizohet si një shtet që ka potencial bujqësorë dhe me tokë pjellore ajo sot nuk ka prodhimtari dhe sistemi shtetëror nuk po nxit bujqësinë dhe prodhimtarinë, sepse edhe subvecionet shtetërore keqpërdoren nga një masë politike vazhdimisht.
Në fund fare e gjithë ikja vjen si rezultat i asaj se ndershmëria, sovraniteti dhe dinjiteti nuk bëhen bashkë për t’iu kundërvënë të keqes e cila josh dhe po ngrit në piedestal të përkledhurit e sistemit, qoftë partiak apo të mafias e cila promovohet vazhdimisht në media.