Ministri i jashtëm i Iranit tha të martën se sanksionet e Bashkimit Europian mbi Teheranin, lidhur me sulmet e planifikuara në Evropë, “nuk do të heqin Europën nga përgjegjësia për strehimin e terroristëve”.

Bashkimi Evropian ngriu të martën pasuritë e një njësie të inteligjencës iraniane dhe dy anëtarëve të stafit të saj, pasi Holanda akuzoi Iranin për dy vrasje në tokën e saj dhe u bashkua me Francën dhe Danimarkën, duke pretenduar se Teherani komplotonte sulme të tjera në Evropë.

Mohammad Javad Zarif tha në Twitter se “evropianët, duke përfshirë Danimarkën, Holandën dhe Francën, strehojnë MEK-un” duke iu referuar një grupi të opozitës iraniane në mërgim.

Më herët, edhe qeveria shqiptare reagoi duke dëbuar dy diplomatë të ambasadës iraniane në Tiranë, njëri prej të cilëve ambasadori, pasi dyshohej se ishin përfshirë në veprimtari që cënonin sigurinë në vend./ tch