Pas tentativave të dështuara në dy ditët e kaluara, sot sërish do të ketë përpjekje për të votuar ndryshimet kushtetuese, transmeton Gazeta Lajm. Seanca që u anulua dje, është caktuar për në ora 12 të ditës së sotme.

Burime brenda kuvendit bëjnë të ditur se seanca nuk do të nis derisa kryeministri Zaev nuk arrin të sigurojë 80 votat e nevojshme. Siç mësohet Zaev tashmë ka siguruar 79 vota dhe po bën përpjekje për të bindur një deputet të VMRO-DPMNE-së, për të siguruar shumicën e dy të tretave për ndryshimet kushtetuese.

Kreu i Kuvendit ka mundësi që të nis seancën e caktuar për në ora 12 pasi fillimisht duhet të votohet teksti i ndryshimeve kushtetuese, për çka nevojiten 61 vota dhe menjeherë më pas të ndërpritet mbledhja për të vijuar kur të sigurohen votat e 80 deputetëve.

Ndërkohë, pas dështimit të negociatave të një dite më parë mes kryeministrit Zaev dhe kreu të Lëvizjes Besa Bilall Kasami, sot në profilin e tij në fejzbuk, deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së Muhamet Zekiri, ka shkruar se pavarësisht të gjitha pengesa Maqedonia do të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së.

“Pavarësish të gjitha gjërave, shantazhimeve dhe dëshirave të forcave destruktive do t’ja dalim bashkë me liderin tonë Zoran Zaev!!! Maqedonia do të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së!!!”, shkruan Zekiri, transmeton Gazeta Lajm.

Loading...