Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë përshëndetur vendimin e kuvendit të Maqedonisë për ndryshimet kushtetuese.

Dy lidërit kosovarë përmes postimeve në rrjetin social Facebook e kanë cilësuar si një ngjarje të guximshme vendimin e kësaj të premtje nga parlamenti dhe kanë uruar shtetin për emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Parlamenti i Republikës së Maqedonisë dëshmoi guxim, vizion dhe vetëdije të lartë, duke votuar për ndryshimet kushtetuese të parapara me Marrëveshjen e Prespës, që shënojnë hapin final drejt ndryshimit të emrit të vendit. Vendimi i tyre nuk ka qenë fare i lehtë, as popullor, por ishte vendim i duhur, i cili tejkalon interesat partiake për shtetin dhe qytetarët. Republika e Maqedonisë apo Maqedonia Veriore, siç do të quhet tash, bëri një hap të madh përpara, duke i hapur perspektivë stabilitetit politik, vazhdimit të reformave dhe integrimit të vendit në institucionet veriatlantike, për t’iu garantuar jetë më të mirë qytetarëve dhe brezave të rinj.Viti 2019 duhet të jetë vit i vendimeve të mëdha edhe për Kosovën.”

Gjithashtu Haradinaj shkruan se ndërrimi i emrit të vendit në Republika e Maqedonisë Veriore, si hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj.

“Përshëndes votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, për ndërrimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë Veriore, si hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj. Kjo ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor është shpresë që rajoni ynë po shkon drejtë paqës së përhershme. Përgëzoj homologun tim Zoran Zaev për vizionin e dëshmuar properëndimor dhe shqiptarët në Maqedoni për rolin kyç në këto ndryshime”.