Presidenti i Kosovës në ceremoninë e shënimit të 21 vjetorit të Epopesë së Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, ka thënë se me nderimet më të larta shtetërore sot kujtohet sakrifica e pashembullt e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.

Kjo sakrificë sublime, sipas tij, bëri kthesë të jashtëzakonshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.

“Bota filloi ta kuptojë drejt Kosovën. Epopeja e UÇK-së dëshmoi se kthim prapa nuk kishte në luftën tonë për liri dhe çlirim. UÇK-ja u bë projekti më madhor kombëtar në historinë e kombit shqiptarë. Sot dhe gjithmonë nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, invalidët, veteranët dhe gjithë qytetarët që u sakrifikuan për çlirimin e Kosovës. Nderojmë diasporën, që dhanë gjithçka për liri”, tha presidenti.

Thaçi në fjalën e tij në ceremonisë ushtarake të FSK-së për nder të Epopesë së UÇK-së ka kujtuar spastrimin etnik të përmasave të gjenocidit nga Serbia.

“Kujtojmë 13.500 civil shqiptarë të vrar, 400 masakra kundër shqiptareve, 20.000 gra te dhunuara shqiptare”, ka thënë ai.

Sipas Thaçit, në këtë 21 vjetor, për herë të parë Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare po shënohet me Ushtrinë e Kosovës, të njohur edhe ndërkombëtarisht, si forcë moderne, profesionale dhe multietnike.

Ai ka thënë se ecja e Kosovës përpara është e pandalshme, derisa po konsolidohemi në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtarë.

“Të bashkuar si popull dhe institucione kemi energji që të bëjmë hapa gjigand. Të bashkuar miqtë do të na përkrahin edhe më shumë. Kosova në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e NATO-së e Bashkimit Evropian, OKB-së dhe do ti forcojmë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha presidenti kosovar Hashim Thaçi.