‘’ O burra shqipëtarë
Të marrim dituritë,
Se s’është koh’ e parë,
Tani lipset dritë..’’ (Naim Frashëri,1995:88).

Unë quhem Shaha, Shaha Hyseni. Unë kom lind dhe jom rritë në Preshevë, nëse doni me e qujtë Luginë sipas emërtimit që i ka dhënë Perëndimi ose Kosovë Lindore, qysh t’keni qef. Shkollën fillore dhe t’mesme i kom mbaru n’vendlindje, aty ku mundsitë për shkollim të mëtutjeshëm jon pothuajse të parealizueshme dhe unë e shumë tjerë detyrohemi me vazhdu studimet jashtë vendit, kur them jashtë vendit e kom fjalën jashtë Serbisë. Meqense fitova nji bursë në Universitetin Ndërkombtarë Ballkanik në Shkup, vendosa të vazhdoj atje. Nivel bachelor të mbaruar kam drejtimin Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane. Shumë cool po tingllon apo? Ky universitet është universitet privat dhe financohet nga qeveria e Turqisë. Shpesh nijshim tjert tu na thonë ‘’ a po ja shpërlajnë trunin?’’Sidoqoftë ose nejse… Nga Lugina në Maqedoni nga Maqedonia vazhdova në Turqi, studime nivel master, drejtimi Studime Kulturore. Nji herë nji zonjë m’ka pas pyt ku po studjon. Unë u përgjigja n’Turqi. M’tha ‘’ a për fe po studjon a’’? Me nji lloj inferioriteti e arrogance kinse me studju për fe osht keq, dhe se Turqia e studimet ndërlidhen me fenë. Gjithsesi…gjatë kohës n’Turqi, që tash po bëhen gati se dy vite, shumë shpesh e dëgjoj urrejtjen edhe mllefin që e kanë shqiptarët ndaj turqve. ‘’Pse po investon Erdogani ktu’’,’’Mos u asimiloni atje’’, ‘’ A ki me u martu me Turk a’’, ‘’Mos e përzieni racën’’… e shumë e shumë fraza të tilla t’mbushuna me urretje. Ma shumë e dëgjojmë ‘’ Ata na kanë sundu neve 500 vjet’’. Është e vërtetë që na kanë sundu, po nëse nuk do t’kishim pranu Islamin atëherë sot ishim të asimiluar në slav, s’di sa na kish pëlqy qeky sen. Qëllimi jem përmes ktij shkrimi jo shumë akademik, me nji gjuhë jo standard është më përcu nji mesazh t’cilin kohë t’gjatë e kom mendu. Sa isha tu lexu Enis Sulstarova ‘’Arratisje nga Lindja’’ lexova poezi që si kisha lexu ma herët, poezi të Rilindasve. Ato poezi tregojnë se sa barbarë e sa racë e ndytë jon turqit. Në ato rrethana nuk e di sa na takon neve me gjyku atë poezi, se ka qenë periudhë ndryshe, rrethana që ne sot pak mundemi me i analizu. Ktu unë nuk po përçoj ndonji propagandë për turqit,e as nji lloj porpagande tjetër (po me siguri shumë prej juve keni me thonë që po, meqense edhe studimet bachelor dhe master po i kryej nga bursat që i ndan turqia për studenta të huaj), po dua t’qartësojë nji gja, sidomos tek rinia. Kur themi se ata janë racë e poshtër, atëherë ne marrim rolin e Perëndimorëve, thojmë se raca jonë osht ma e mira. Po edhe ne jemi barbarë në sy të Evropës. Idea se Evropa prodhon veç sende t’mira, harrojmë se Evropa e ka kolonializu 85% tokës deri n’luftën e pare botrore, kolonializmi pra, temë shumë pak e diskutume mes t’rinjëve shqiptarë. Lindja gjithmonë për ne ka qenë e papëlqyer. Pse? Se ne jemi racista. ‘’ Oh Zot Arabët’’. Kur jemi injorantë ne jemi edhe inferior, ‘’tjetrin’’ e shohim si barierë, jo si diçka që mundemi me përfitu, si për shembull poezia arabe ose ushqimi arab! Ju propozoj me provu Shawrma, gishtat i leni. Ose me lexu Mahmoud Darwish, Iqbal, Nizar Qabbani, poezitë e t’cilve jau ndezin telat e zemrës. Por jo, se na jemi njerz t’SHIJES, elita, klasa e cila e ka shijen e vet, të tjerat janë pa krip.T’njejtin sen e ndjejmë edhe për boshnjakët. Për shkak se nuk dijm me e dallu gjuhën Serbe dhe Boshnjake menjiherë marrim tendencën me i qujt ‘’shkije’’. Po i kthehem shkollimit. Arsyeja e shkollimit tim dhe shumë të tjerëve nuk osht asimilim, aspak! Unë jom rrit n’Serbi, kam msu gjuhën po nuk jam asimilu! Se cili nga shtetet tona, n’këtë rast si jetim nga Presheva pys shumë haptazi, cili na ka ofru kushte për shkollim? Pa harru me përmend që studentat e Luginës të diplomuarit nga Mjeksia e Përgjithshme nuk mujm me pas liçens pa qenë qytetarë të Kosovës. Se kërkoj ndjesë, e kom fjalën për neve klasën e ult, se na gjithë e dijm se si jetojnë t’pasunit. Tash pas ktij shkrimi shumë kanë me shit patriotizëm sipas kushteve ekonomike. M’vjen interesant pse asnjiherë nuk osht fol për asimilim për studentat që studjojnë në Evropë? Ama kur thu ‘’Unë studjoj n’Evropë, nuk tingllon qaq cool se sa ‘’Studjoj n’Turqi’’ apo? Se neve shqiptarve na duhet me qenë modern, dmth mu bo racist, me i shpërfill krejt racat. Na vazhdojmë me kërku identitetin tonë n’Evropë, këtë identitet e kemi kërku qysh moti, e gjith dikush e ka pas fajin pse ne nuk kemi mundur t’ecmi drejt modernitetit, dmth identitetin ‘’modern’’, por hala kur dojm me ofendu dikon i thojmë ‘’mos u bo si maxhup.’’ Pa asnji tendencë për me mbajtë nji anë, unë kërkoj që ne t’lexojmë ma shumë, t’i hapin vetes rrugë për me i pa gjanat prej prizmave t’ndryshëm, mos me qenë paragjykus, mos t’kultivojmë mendje provincash. Ne historinë nuk mujm me e ndrru, po sot gjanat kanë ndryshu, por edhe historinë e gabume nuk duhet me lexu. Po harrojmë se jemi shumë t’mençur e se shtetet tona kanë prodhu këngëtare e sportiste, po na hala s’kemi intelektualë shqiptarë të njohur mbarë botën, edhe ata që i kemi, atë që e përmenda më lartë Enis Sulstarovën, na nuk e lexojmë se jemi shumë t’zanun me filozofa Evropian, jemi t’zanun tu i paraqitë anomalitë e racave tjera, pra jemi shumë t’zanun ama sen s’jemi tu bo. Unë tradhtarja pas Samiut erdha me studju n’Tyrqi. Ama veç ni dallim ka mes neve. ‘’Shqipëtaret po që të duan të mos ndahen nga Tyrqia, duhet të humbasin bashkë me të’’ (1999:23 e cituar në Sulstarova,2013 f.58). Unë si një akademike e ardhshme nuk pretendoj me lobu për vlera raciste (racimzi, islamofobia etj koncepte qe i ka prodhu Evropa, ton dynjaja e dijnë kët sen) se sot jetojmë në rrethana të ndryshme. Nëse e ushqejmë veten me vlera t’mirfillta, me ditë me bo dallimin mes t’mirës dhe t’keqes, mes librit dhe muhabetit t’kotë që vazhdon me shekuj, rinia jonë nuk kish ndje kaq shumë mllef ose inferioritet. Këtë shkrim e nisa me nji poezi t’Naimit, edhe ai veç për burra kish fol. Baci Naim, sot, edhe na femnat po shkrujmë, edhe premtojmë që deri n’frymën e fundit kemi me u shkollu për atdhedashuni, për me çelë faqe t’bardhë po jo tu i’a lon fajin tjerve por me fillu prej vetes. Mes tradhtarve të kombit edhe unë, e shumë të tjerë po bëjmë pjesë, kshtu na kanë portretizu injorantët. Samiun e morrën në Turqi, mua më solli nevoja! Shaha Hyseni është botuese e librit me poezi ‘’Krahë të Bardhë’’(2015). Përskaj dashunisë për poezi ajo ka qenë e përfshirë edhe në aktivitete studentore. Një ndër themelueset e shoqatës jo qeveritare’’ Unioni i Studentëve të Luginës në Maqedoni’’, një vit ka shërby si kryetare e kësaj shoqate, koordinatore e shkollës së parë verore në Presheve. Aktiviste tek shoqata kulturore ‘’Dituria’’. Aktiviste në aksione humanitare. Pjesmarrëse në shkolla të ndryshme verore, seminare dhe konferenca si brenda dhe jashtë Ballkanit.