Një punonjës i një kompanie fluturimi dhe djali i tij i adoptuar, janë vënë në pranga, teksa ata kanë trafikuar fëmijë shqiptarë drejt Italisë dhe akuzohen për mashtrim.

Sipas mediave italiane, në pranga janë vendosur punonjësi i kompanisë “Alitalia”, S.B, dhe djali i tij i adoptuar, A.R, me origjinë shqiptare.

Të dy ata, duke përfituar nga zbritjet e ofruara për të afërmit e punonjësve të linjës ajrore, kanë dërguar drejt Romës rreth njëzet fëmijë, mes viteve 2014 dhe 2016.

Ata u kërkonin familjarëve të fëmijëve që të paguajnë një shumë që varionte nga 700 deri në një mijë euro. Teksa prindërit pranonin, pasi kërkonin t’ju ofronin fëmijëve një të ardhme më të mirë.

Ndërkohë, fëmijët shqiptarë u mirëpritën nga Bashkia e Romës si fëmijë të braktisur.

Sipas prokurorit Marcello Cascini, udhëtimet janë bërë me bileta falas nga kompania “Alitalia” sepse dy të pandehurit deklaruan në mënyrë të rreme se ishin baba dhe djalë. Ndonëse i pandehur deklaron se e ka adoptuar ligjërisht shqiptarin me inicialet A.R.

Gjithashtu, ata u kërkonin shërbimeve sociale të Bashkisë së Romës asistencë për të ndihmuar disa nga fëmijët që ishin shpallur të braktisur, ndërkohë që prindërit u kishin dhënë atyre kujdestarinë.

Bashkia e Romës, e cila mori përsipër të gjitha shpenzimet e fëmijëve, pësoi një dëm serioz pasi shpenzimet përllogariteshin rreth 85 euro në ditë për fëmijë, për disa vite.

/a.rada