Në një intervistë për Lajm, trajneri i Vëllazërimit nga Kërcova, Bujar Islami, flet për përgatitjet, përforcimet, synimet e tyre në ligën e dytë-grupi i perëndimit.

Sa jeni të kënaqur me përgatitjet, a ka rrjedhur gjithçka sipas planit të paraparë?
Bujar Islami:
Edhe pse kemi filluar disa ditë me vonesë, jemi të kënaqur nga përgatitjet. Besoj se gjatë fazës së dytë që zgjati 18 ditë, e të cilën i zhvilluam në Ohër, kemi arritur të kompensojmë ditët e humbura.

A është skuadra e gatshme për sezonin pranveror?
Bujar Islami:
Besoj se skuadra është e gatshme dhe e përgatitur për fillim të mbarë të stinorit pranveror.

 

Keni zhvilluar edhe disa ndeshje kontrolluese. Sa jeni të kënaqur nga rezultatet dhe formën e lojtarëve?
Bujar Islami:
Në ndeshjet kontrolluese rezultati ishte në plan të dytë, me rëndësi ka qenë të shohim gjendjen e secilit futbollistë në moment të caktuar, por përsëri jemi të kënaqur edhe me rezultatet edhe me formën.

 

 

Keni sjell edhe ca përforcime në skuadër. Çka pritni nga ata në sezonin pranveror?
Bujar Islami:
Sa i përket përforcimeve kemi angazhuar lojtarët e ri të huazuar Ylber Beqiri nga Renova dhe Jusuf Aliu nga Shkupi, ndërsa të tjerët janë poashtu lojtarë shumë të ri që duhet të na ndihmojnë në vazhdim të kampionatit.

 

Në krahasim me sezonin vjeshtor, jeni më të fortë apo më të dobët?
Bujar Islami:
Në krahasim me sezonin vjeshtor ekipi ka humbur pak në cilësi, sepse shumë lojtarë nga Vëllazërimi arritën të transferohen në kampionate dhe skuadra më të fuqishme. Besoj që me punë të përkushtuar dhe profesionale do ta rrisim kualitetin dhe nivelin e cilësisë së lojtarëve.

 

Cilët janë qëllimet e skuadrës në sezonin e dytë?
Bujar Islami:
Qëllimet e skuadrës sonë janë që në fund të kampionatit të gjendemi në pjesën e epërme të tabelës.

 

Kush janë konkurrentët e skuadrës suaj?
Bujar Islami:
Besoj që si konkurrent do të jenë disa ekipe, pasi që do të jetë një gjysmëstinor tepër i fortë dhe me ekipe shumë të përforcuara.

 

Ku e shihni ekipin tuaj në fund të kampionatit?

Bujar Islami: E theksova që synimet tona janë pjesa e epërme e tabelës, dhe shpresoj që edhe në fund të sezonit të ndodhemi aty.