Trajneri i njohur, Xhengis Rexhepi, sërish është kthyer për të punuar në futbollin e Kosovës. Pas Kek-ut, Rexhepi tani është emëruar për trajner të ri të KF Llapi nga Podujeva, me të cilët nënshkroi kontratë deri në fund të kampionatit. Rexhepi, i cili është edhe në stafin teknik të reprezentacionit të Maqedonisë, pati një aventurë të mirë edhe në Turqi, te skuadra e Sivaspor, eksperiencë e cila do t’i shërbejë mjaftë te Llapi.

Rexhepi, të shtunën, ka caktuar fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri.

Ai në një intervistë për Lajm ka folur për pritjet në klubin e ri, përgatitjet, përforcimet dhe objektivat e Llapit.

“Jam pritur shumë mirë. Falënderoj kryesinë e klubit për pritjen e ngrohtë dhe besimin e dhënë, ndërsa tash mua më mbetetë të arsyetojë këtë besim. Premtoj se do të jap më të mirën nga vetja ime për të arritur qëllimet e kryesisë dhe tifozëve të klubit. Kjo është ideja që kam ardhur”, tha fillimisht Rexhepi.

Më pas, ai tregoi për për përgatitjet për pjesën pranverore të kampionatit.
“Startin e sezonit pranveror e kemi caktuar për ditën e shtunë, ora 13:00 në Podujevë. Atë ditë do të mësojmë se ku do të zhvillojmë fazat tjera përgatitore, por kjo do të varet nga ofertat që do ti kemi. Mund të transferohemi në Shqipëri, Maqedoni ose Turqi”, thekson strategu i ri i Llapit.

Ai tha se skuadra planifikon edhe të përforcohet.

“Po mendojmë edhe të sjellim dy ose tre përforcime, edhe atë në fazën defensive dhe ofensive”, shtoi Rexhepi.

Në fund të intervistës, ai foli edhe për objektivat e skuadrës dhe konkurrentët në garën për kreun e tabelës.

“Jemi në vend të tretë me pesë pikë mbrapa liderit Prishtina dhe katër më pak se Ferronikeli. Do të shohim, do të mundohemi që sa me tepër t’iu afrohemi këtyre skuadrave. S’kemi presion të bëhemi kampion, por do të mundohemi të luftojmë për një vend sa më të mirë në tabelë”, përfundoi intervistën për Lajm, trajneri Xhengis Rexhepi.

Loading...