Presidenti i SHBA-së Donald Trump thotë se së shpejti mund të shpallë një emergjencë kombëtare dhe se do të përdorë fondet e ndërtimeve ushtarake për ngritjen e një muri përgjatë kufirit me Meksikën.

Deri tani, ai e ka patur të pamundur të bindë Kongresin që t’i japë fonde për këtë qëllim.

Presidenti Trump shkoi të enjten në Teksas për të parë nga afër përpjekjet që synojnë pengimin e imigracionit të paligjshëm në kufi.

Ai tha se ndoshta do të shpallte emergjencën nëse nuk arrin dot marrëveshje me demokratët e opozitës për financimin e murit.

Bisedimet e Shtëpisë së Bardhë me udhëheqësit demokratë, të cilët refuzojnë të japin fonde për murin, përfunduan dje me dështim, ndërkohë që, për shkak të mosmarrëveshjeve, qeveria është mbyllur pjesërisht prej 20 ditësh.

“Unë kam të drejtën absolute për të deklaruar një emergjencë kombëtare. Nuk e kam bërë akoma, por mund ta bëj. Nëse kjo nuk funksionon, ndoshta do ta bëj”, deklaroi Trump.