Arbër Çeliku

Gruevski ishte mbi 20 vjet në politikë, kurse dekadën e fundit figura kyçe politike në vendin tonë; sot ai është një i dënuar me burgim, një ‘person’ i arratisur nga drejtësia, një burracak i urryer nga të gjithë, një njeri i turpëruar publikisht dhe turpërimi publik është akt më i keq se burgu për të, familjen, partinë dhe bashkëpunëtorët e tij. Megjithatë, Gruevski përfaqësonte një sistem, një nomenklaturë të tërë ideologjike dhe politike, e cila, më së shumti, goditi në palcë popullin shqiptar në Maqedoni; dhe sistemet, nomenklaturat nuk përbëhen nga një individ i vetëm, por nga një piramidë individësh, që funksionon në mënyrë zingjirore. Ajo që mua më inkurajon, është se në horizont ka filluar të shfaqet një dritë shprese se përfundimisht po përmbyset anarkia dhe po konturohet shteti i së drejtës, proces ky që nuk fillon dhe mbaron brenda pak ditësh. Nëse ky proces do të vazhdojë ta përshkojë krejt piramidën e anarkisë politike të së shkuarës, duke e vënë përpara drejtësisë, pa përjashtim, gjithsecilin që ka qenë pjesë e atij sistemi dhe nomenklature shkatërruese, jo vetëm me synimin e turpërimit dhe delegjitimit politik, por edhe me nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë aktorëve, do të kthehet shpresa dhe besimi te popullata se po ngrihen themelet e shtetit ligjor, si dhe do të intensifikohet mbështetja ndërkombëtare, e cila do t’i ndihmojë shumë proceset shoqërore, ekonomike dhe prosperuese të vendit në të gjitha aspektet.