Universiteti “Nënë Tereza” është e befasuar në lidhje me procedurat kundërvajtëse kundër disa dekanëve të tyre nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit për mosdorëzimi të listave anketuese, njofton Portalb.mk.

“Lidhur me lajmin e publikuar në disa media ditën e enjte, të cilat përcjellin raportin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit se ky komision do të ngritë procedurë për kundërvajtje, ndaj 28 dekanëve të fakulteteve shtetërore, mes të cilëve edhe 4 nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, shprehim befasinë tonë për këtë reagim të parakohshëm të anëtarëve të këtij komisioni të respektueshëm, dhe ngritjen e një lënde kundërvajtëse para afatit ligjor që përcakton Ligji për parandalimin e korrupsionit, në bazë të cilit duhet të veprojë ky Komision. Informojmë publikun e gjerë se lënda e paralajmëruar kundërvajtëse ndaj u.d. dekanëve në Universitetin Nënë Tereza në Shkup, është e përshpejtuar dhe nuk ka bazë mbi Ligjin e lartpërmendur”, thuhet në kumtesë.

Siç thonë ata, udhëheqësit e detyrës dekanë në UNT, kanë marrë detyrën me datë 16 shkurt të këtij viti, ndërsa Ligji për parandalimin e korrupsionin u jep atyre të drejtën që brenda 30 ditëve nga marrja e funksionit të plotësojnë listën anketuese, respektivisht formularin për deklarim të pasurisë, gjë të cilën kanë edhe 10 ditë afat kohorë ligjor për ta bërë.

“Universiteti Nënë Tereza në Shkup, do të respektojë të gjitha obligimet e bazuara në ligjet në funksion, dhe u.d. dekanët do t’i dorëzojnë listat anketuese brenda afatit kohor që ua jep ligji, duke shpresuar se ky vendim i Komisionin për parandalimin e korrupsionit është një lëshim teknik i paqëllimshëm”, shtojnë në kumtesë.

Paraprakisht, Antikorrupsioni ka hapur procedurë kundërvajtëse për rektorin e Universitetit “Nënë Terezë”, Aziz Pollozhani. Ai e pranoi lëshimin dhe tha se e ka bërë pa dashje.

Neni 109 i Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, thotë se:

“Gjobë në vlerë prej 300 deri 500 euro në kundërvlerë denarë do t’i parashtrohet personit të zgjedhur ose të emëruar”, thuhet ndër të tjerash në ligj.