Edhe pse u përngjan shumë, kjo urë nuk gjendet as në xhunglat e Tajlandës, e as në ato të Brazilit. Gjendet brenda Shkupit dhe lidh fshatin Llokë me lagjen urbane Gjorçe Petrov, shkruan Gazeta Lajm. Por, urbanizmi përfundon aty ku mbarojnë lagjet e maqedonasve. Tutje fillojnë rrugët me baltë e plehra të hedhura gjithandej. Banorët janë të revoltuar, mirëpo askush nuk i merr parasysh ankesat e tyre.

Dërrasat e vendosura para dy viteve janë thyer dhe janë krijuar shumë vrima. Megjithatë Banorët e Llokës janë të detyruar të kalojnë nëpër këtë urë, sepse për të udhëtuar përmes Sarajit, duhet të bëjnë 5 kilometra më tepër. Edhe më i madh është rreziku për dhjetëra nxënësit e fshati që kalojnë çdo ditë këtë urë, për të arritur në shkollën e Nerezit. Ka pasur raste kur edhe janë lënduar, shkruan Gazeta Lajm.

Si fajtor për mosndërtimin e urës, banorët drejtojnë gishtin kah partia shqiptare në pushtet, BDI. Porositë e tyre në adresë të funksionarëve të BDI-së nuk janë aspak të këndshme. Edhe më të pakëndshme janë porositë që për shkaqe të etikës gazetareske nuk mundemi t’i publikojmë.

Ka pasur edhe iniciativa private nga biznesmenë lokalë për ndërtimin e urës statike në vend urës së improvizuar, në të cilën do të mund të kalonin edhe veturat. Mirëpo komuna Gjorçe Petrov nuk ka dhënë leje për ndërtim të rrugës deri te ura, duke eksponuar edhe më tutje banorët e këtij fshati ndaj rrezikut kur kalojnë mbi urën e improvizuar dhe të amortizuar. / Gazeta Lajm & Lajm.tv

Loading...