Nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë i janë bashkuar edhe administratorët e pallateve në kryeqytet.

“Duke qenë se administrimi është kryefjalë e Bashkisë së Tiranës, mënyra më e saktë për të drejtuar qytetin është që të ndajmë rolet e administrimit. Dikush administron Bashkinë, dikush administron ‘task-forcën’ e administratorëve të pallateve, dikush administron pastrim-gjelbërimin, dikush tjetër administron Njësinë Nr.5 dhe pastaj vijmë te qeliza e fundit, e atij që administron pallatin”, tha kryebashkiaku.

Veliaj ftoi banorët që nuk kanë zgjedhur ende administratorin, të nxitojnë pasi do të kenë shumë përfitime dhe rregull në hapësirën ku jetojnë.

“U jam sot shumë mirënjohës të gjithë kolegëve, që kanë punuar që Tirana të jetë kryesisht e mbuluar me administratorë. Nëse ka banorë që ende nuk e kanë, nxitoni ta zgjidhni! Nëse nuk e zgjidhni dot, mund t’ua caktojë Bashkia, por e rëndësishme është që çdo shtëpi të ketë një zot. Jam shumë i lumtur sot, që gjithë ky grumbull pallatesh te ‘Komuna e Parisit’ ka një administrator, një zot, pastërti dhe thirrja për banorët është: Administratori nuk është vetëm roja i derës, por është roja i derës, kamera, ashensori, pastrimi, ndriçimi dhe në raste si ky i sotmi, edhe gjelbërimi dhe krijimi i një miniparku dhe i një minilulishteje përballë pallatit”, deklaroi më tej Erion Veliaj.

Veliaj ftoi qytetarët dhe bizneset që të rendin deri në 2 prill për të mbjellë pemë për më shumë oksigjen për banorët e Tiranës.

Top Channel