Ambasadori gjerman do të dëbohet nga Venezuela pasi akuzohet për ndërhyrje në punët e brendshme. Daniel Kriener ishte midis diplomatëve që ndihmuan udhëheqësin e opozitës Juan Guaido të kthehet në Venezuelë të hënën duke e takuar atë në aeroport.

Përmes një deklarate, qeveria venezueliane i dha 48 orë afat të largohet ambasadorit gjerman, me argumentin se ndërhyn në punët e brendshme të Venezuelës.

Juan Guaido, i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe 50 vende të tjera si udhëheqësi i përkohshëm i Venezuelës, u kthye të hënën nga turneu në katër vende të Amerikës Latine, duke shkelur një urdhër gjykate që i ndalonte atij udhëtimin jashtë vendit. Pas kthimit të tij, zoti Guaido mori pjesë në një miting, ku bëri thirrje për largimin nga pushteti të Presidentit Nicolas Maduro.