VAR-i po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në fushat e futbollit, pasi përtej problematikave të evidentuara, në jo pak raste ka ndihmuar arbitrat të japin vendimin e duhur. Një ngjarje mjaft interesante është regjistruar edhe dje në kampionatin polak, në sfidën mes Legias së Varshavës, përballë Cracovias.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e Legias, William Remy, i cili u ndëshkua dy herë me karton të kuq, pikërisht falë ndihmës që VAR i dha arbitrit kryesor, për të korrigjuar vendimin e mëparshëm.

Ka qenë minuta e 75-të e takimit, kur mbrojtësi kreu një ndërhyrje të rëndë ndaj kundërshtarit, duke e shkelur qëllimisht mbi kofshë, por në lojë e sipër, arbitri akordoi vetëm karton të verdhë, që ishte i dyti për Remy dhe normalisht mbrojtësi u largua me karton të kuq për në dhomat e zhveshjes.

Por ndërkohë arbitri u sinjalizua që të rishikojë vendimin nëpërmjet VAR-it dhe vetëm pasi shkoi para monitorëve, kuptoi se ndërhyrja ishte vërtetë e ashpër dhe meritonte dënim direkt me karton të kuq.

Arbitri riktheu Remy në fushë, duke i sinjalizuar fillimisht se kartoni i verdhë ishte hequr, ndërsa mbrojtësi nga entuziazmi vrapoi për t’u rikthyer në fushë, por në moment pa edhe kartonin e kuq para syve, duke mbetur vërtetë i habitur.