Klubi i volejbollit “Shutova” nga Kërçova me ambicie të mëdha ka nisur përgatitjet për sezonin pranveror.
Për pjesën e dytë të kampionatit ata kanë sjell disa përforcime me të cilat synojnë kurorën e dyfishtë, ndonëse nuk do jetë aspak e lehtë.

“Kemi filluar me përgatitje dhe presim që me 5 shkurt të mbërrijnë edhe përforcimet nga jashtë për t’iu bashkuar ekipit. Për pjesën pranverore të kampionatit Shutova është përforcuar me disa emra eminent të volejbollit nga vendi dhe jashtë. Prurjet e reja janë: Stanislav Azarov nga Ukraina, Marcos Vinicius Amaral nga Brazili, Igor Subotiç nga Bosnja Hercegovina, Gjoko Josifov, volejbollist i reprezentacionit të Maqedonisë, që aktualisht luan në kampionatin gjerman dhe Gjoko Maxhirov”, ka njoftuar Bashkim Mehmeti, kryetar i Shutovës.

Shutova sezonin vjeshtor e ka përfunduar në vendin e gjashtë me 14 pikë, shtatë më pak se Strumica që mbanë vendin e parë, megjithatë kryetari Mehmeti flet me tone optimiste.

“Mendojmë se shtatë pikë nuk janë të paarritshme. Ne shpresojmë se me përgatitje cilësore dhe përforcimet e reja do të luftojmë për titull kampioni. Ndërsa, ndeshjet e kupës nisin në pranverë, dhe synimi ynë është të fitojmë të dy trofetë”, shtoi Mehmeti.

Pjesa e dytë e kampionatit të Maqedonisë në volejboll për meshkuj nis më 23 shkurt të këtij muaji./lajm

Loading...