Merr fund pas plot 12 javësh efekti “Solskjaer” për Manchester United, që sot u mposht me rezultatin 2-0 nga Arsenali, në transfertën e “Emirates Stadium”.

“Djajtë e kuq” nuk humbnin që prej 16 Dhjetorit në kampionat, kur në stol ishte Jose Mourinho, pasi menjëherë sapo skuadrën e mori në dorë tekniku norvegjez, kishte regjistruar plot 10 fitore dhe dy barazime.

Për të rikthyer te humbja United, mendoi Granit Xhaka, që në minutën e 12’ të takimit, lëshoi një goditje nga distanca, e cila u përplas në tokë dhe la të shtangur portierin spanjoll De Gea, duke përfunduar në rrjetën e portës.

Më pas goli i sigurisë për “Topçinjtë” u shënua nga sulmuesi Pierre Emenick Aubameyang, i cili ekzekutoi saktë një 11-metërsh në minutën e 69’ të takimit dhe vulosi triumfin e Arsenalit.

Me këtë fitore, londinezët parakalojnë pikërisht Manchester Unitedin dhe shkojnë në kuotën e 60 pikëve, në vendin e katërt të renditjes, zonë që të siguron një biletë në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.