Përfaqësuesit e Qeverisë dhe ata të Lëvizjes BESA do të takohen sot për të shqyrtuar në detaje propozimet e partisë opozitare shqiptare dhe për t’i definuar pozicionet përfundimtare, shkruan Gazeta Lajm. Nga Lëvizja BESA nuk japin detaje rreth bisedimeve dhe nuk bëjnë me dije nëse ka sinjale pozitive nga qeveria për t’i pranuar kërkesat e tyre.

“Do prononcohemi publikisht pasi të përfundojë takimi i grupeve të punës që duhet të zhvillohet sot” tha për Gazetën Lajm, zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Elmedin Memishi.

Partitë shqiptare në opozitë. “BESA” dhe ASH-ja kanë dorëzuar amendamente për ndryshimet kushtetuese në fazën finale, që kanë të bëjnë me zyrtarizimin e shqipes në Kushtetutë, rregullimin e çështjes së shtetësisë dhe prembulës.

Për të biseduar rreth kërkesave të opozitës shqiptare, pas takimit me kreun e Lëvizjes BESA Bilall Kasami, ishte paralajmëruar edhe një takim mes kryeministrit Zaev me kreun e ASH-së Zijadin Sela. Megjithatë, takimi i tillë ende nuk është mbajtur dhe nuk ka informacione se kur mund të zhvillohet, shkruan Gazeta Lajm.

Faza e tretë dhe e fundit për zbatimin e marrëveshjes së Prespës do të fillojë nesër, kur është caktuar seancë në Kuvend për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Kryeministri Zoran Zaev është shprehur optimist se do të sigurohen 80 votat e nevojshme në Kuvend. Nga VMRO-DPMNE-ja kanë bërë të ditur se do të bojkotojnë seancën për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit të Maqedonisë./Gazeta Lajm

Loading...